E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ramiz Alia kurrë nuk donte pluralizmin”

14/12/2009  Kryeministri Berisha rrëfen mbi lëvizjen studentore dhe themelimin e PD-së

Berisha ka deklaruar se ka dokumente që faktojnë se kush themeloi PD-në

Kryeministri Sali Berisha ka treguar dje rolin që ish-presidenti i vendit Ramiz Alia ka pasur në vendimmarrjen për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Për Berishën javët e fundit po vihet re një tendencë për rehabilitimin e figurës së Alisë, nga ata që ai i cilësoi bllokistat e rinj, pasardhës të kastës së diktaturës komuniste. Por, për kreun e qeverisë, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, ish-presidenti Alia në mënyrën më të fortë dhe të egër ka qenë kundër pluralizmit. Berisha tha se ishte “zonja e zezë Nexhimije Hoxha” që sundonte Ramiz Alizë. Sipas tij, Alia në vitin 1990 urdhëronte ekzekutimin e të rinjve shqiptarë në kufijtë e vendit. “Këta bllokmenë të rinj që duan ta paraqesin Alinë si mbështetës të pluralizmit janë cinikë dhe harrojnë që me urdhër të tij zvarrisnin në Shkodër dhe Sarandë bijtë e vendit dhe firmoste shpërblimet për ekzekutorët”, deklaroi Kryeministri Berisha. Duke folur për ditët e përmbysjes së madhe të diktaturës, Berisha tha se Alia kurrë nuk do të pranonte pluralizmin në Shqipëri, por mbi kokën e tij lëvizte hija e Çausheskut (ish-diktatori komunist rumun që u ekzekutua nga antikomunistët). “Ramiz Alia, sipas Hekuran Isai, ka dhënë urdhër për të qëlluar mbi qytetarët e Tiranës në sheshin “Skënderbej” ditën e përmbysjes së monumentit, ka dhënë urdhër të mbrohej monumenti me breshëri të mitrolozëve dhe kallashnikovëve. Kjo është përgjigja ime për bllokmenët e rinj”, deklaroi lideri i Partisë Demokratike.

Duke iu rikthyer ditëve të themelimit të PD-së, Berisha ka deklaruar se janë qesharake të gjitha pretendimet e publikuara kohët e fundit se ai (Berisha) nuk ka qenë në grupin themeluesve të partisë. Ai tha se ka dokumente të qarta, të cilat faktojnë se kush themeloi PD-në darkën e datës 11 dhjetor, ora 23.00. Dokumente, që sipas Berishës, faktojnë se cilët ishin ata që firmosën për legalizimin e partisë dhe kush u zgjodh në Komisionin Nismëtar. Ai tha se ideja për themelimin e PD-së dhe për pluralizmin në Shqipëri është shprehur dhe mbrojtur para studentëve në dhjetor të vitit 1990. Madje Berisha tha se përmes shkrimeve të ndryshme në gazeta dhe revista të kohës, kishte shkruar për nevojën e demokratizimit të vendit dhe futjen e pluralizmit politik.

Kongresi Zgjedhor

Në Kongresin e sotëm do të zhvillohen zgjedhjet për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së, si dhe për kryetarin e partisë. Do të jenë 1260 delegatët demokratë nga 12 qarqet e vendit ata që do të votojnë për 100 anëtaret e këtij Këshilli dhe në garë janë 400 kandidatura. Për sa i përket garës për kryetarin e PD-së, është vetëm një kandidaturë, ajo liderit historik Sali Berisha, i cili pritet të rikonfirmohet në postin e kryetarit të partisë.

Ndryshimet në statut

Në Kongresin e sotëm të PD-së do të përshkohen për votim nga ana e delegatëve propozimet për ndryshimet në statutin e partisë. Ndryshimet kanë të bëjnë me faktin nëse do të lejohet që ministrat demokratë mund të mbajnë edhe postet e rëndësishme në strukturat e larta të partisë. Vetë Kryeministri Berisha pohoi se ka mendime të ndryshme, por do të jenë delegatët që do të zgjedhin dhe vendimi i tyre do të respektohet.

Organizimi Kongresit

Kongresi i PD-së fillon me transmetim direkt, me regji të unifikuar, në orën 10.00 deri në orën 12.00, kohë kur do të mbajnë fjalën e kryetari Sali Berisha, nënkryetarët Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode. Më pas do të jetë procesi i votimit. Pas Kuvendit në transmetim direkt do të krijohet mundësia për lidhje ose intervista me delegatët në hollin e Pallatit të Kongreseve, i cili do të jetë i vetmi vend ku delegatët do të japin prononcime për mediat.

Skafet

Kryeministri Berisha duke iu përgjigjur pozicionin e opozitës kundër zgjatjes me tre vjet të moratoriumit të mjeteve të lundrimit, tha se në këtë mënyrë opozita ngrihet në mbrojtje të mafies. Kreu i qeverisë tha se nuk ka lëvizje më absurde se kjo që ka ndërmarrë opozita. Të njëjtin vlerësim pati Berisha edhe për oponencën që PS i ka bërë ligjit antimafie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›