E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria marrëveshje me Kosovën për energjinë elektrike

14/09/2009  Studiohen mundësitë për rezervat energjetike

Para dy ditësh u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Konfindustrisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës/KEK për organizimin e Forumit Ndërkombëtar "Kosova-një mundësi energjetike", që do të zhvillohet në Prishtinë në datat 5-6 tetor 2009. Kjo marrëveshje u nënshkrua ndërmjet Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë Z. Gjergj Buxhuku dhe Drejtorit Menaxhues të KEK z. Arben Gjukaj. Ngjarja e mësipërme, do të jetë një nga ngjarjet e rëndësishme të llojit të tij në rajonin e Evropës Juglindore dhe i pari i zhvilluar në Kosovë. Në forum do të marrin pjesë kompanitë private dhe publike më të rëndësishme evropiane dhe botërore të prodhimit, rrjeteve të transmetimit, menaxhimit dhe teknologji të energjisë elektrike. Gjithashtu do të marrin pjesë ministra të energjetikës, ekonomisë dhe financave nga vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme financiare dhe bankare ndërkombëtare si KFW, Banka Botërore, FMN, etj. Forumi synon të shpalos përpara investitorëve të rëndësishëm mundësitë e shumta natyrore të Kosovës dhe njëkohësisht projektet konkrete për prodhimin e energjisë elektrike jo vetëm nëpërmjet fosileve të ngurta/linjitin rezervat e të cilit janë të rëndësisë ndërkombëtare, por njëkohësisht dhe nëpërmjet burimeve të ujit, erës, etj. Do të paraqiten gjithashtu edhe projektet në zbatim dhe të parashikuara për të filluar së shpejti, që tregojnë vullnetin e plotë të Qeverisë së Kosovës për përfshirjen dhe shfrytëzimin sa më të mirë dhe në dobi të të gjithëve, të rrjetit energjetik të Kosovës në sistemet rajonale dhe evropiane, duke përfituar nga pozita gjeografike strategjike e Kosovës. Vend të rëndësishëm në forum do të ketë paraqitja e reformave të rëndësishme institucionale dhe ligjore të kryera nga Qeveria e Kosovës e domosdoshme për zbatimin e projekteve energjetike dhe tërheqjen e investitorëve të huaj dhe financimeve ndërkombëtare. Ministria e Energjisë dhe Minierave të Kosovës ka shprehur mbështetjen e plotë të saj për nismën e Konfindustrisë për zhvillimin e Forumit Ndërkombëtar të Energjisë që do të zhvillohet në Prishtinë në datat 5-6 tetor 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›