E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e shkollave, problem gripi i derrit

14/09/2009  Udhëzohen drejtoritë për marrjen e masave parandaluese, mjekët këshilla për nxënësit

Larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit

Nisja e vitit të ri shkollor mund të shoqërohet me shtimin e rasteve të gripit të derrit për shkak të frekuentimit të ambienteve të vogla nga shumë nxënës njëherësh. Megjithatë, përhapja e virusit të gripit të derrit në vendin tonë mund të jetë disa herë më e lartë se sa shifra zyrtare e pacientëve të konfirmuar prej autoriteteve shëndetësore. Mjekët e shërbimit të infektivit theksojnë se shumë prej qytetarëve që janë prekur nga ky virus mund ta kenë kaluar atë në formën e gripit normal. Pavarësisht këtij fakti, gjatë ditëve të fundit është shtuar numri i mostrave të dyshuara, të cilat i janë dërguar laboratorit të referencës në Rumani, nga ku pritet një përgjigje nëse mbartëse të AH1N1-shit. Aktualisht dikasteret shëndetësore janë në pritje të përgjigjeve nga laboratori i huaj për më shumë se 100 raste të dyshuara, ndërkohë që janë me dhjetëra mostra të tjera që po u nënshtrohen analizave të fazës së parë në laboratorin e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Lidhur me këtë situatë specialistët e shërbimit infektiv kanë pohuar pak ditë më parë: “Sipas orientimeve të OBSh-së, apo eksperiencës së vendeve të tjera, janë 10 apo 20-fishi i tyre të pakonfirmuar, për shumë arsye. Së pari, situata klinike apo sëmundja ka qenë e lehtë, e neglizhueshme nga pacientët dhe ata nuk janë paraqitur për vizitë. Së dyti, procedura e bërjes së analizave është pak a shumë e gjatë. Unë do t’ju thosha se në Rumani janë mbi 100 mostra që presin të konfirmohen apo të analizohen.”

Alarmi

Ekspertët e shëndetësisë kanë pohuar se situata mund të bëhet alarmante duke filluara nga java e ardhshme, kohë kur do të nisin funksionimin institucionet shkollore në rang vendi. Kjo e fundit, në rast se nuk tregohet kujdesi i duhur në masat parandaluese, mund të bëhet shkak për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme, e cila do të prekë masivisht popullatën tonë për shkak të lehtësisë së përhapjes në ambientet e mbyllura të virusit. Për këtë rast mjekët pohojnë se nuk ka vend për panik, nëse prindërit, por edhe mësuesit tregohen të kujdesshëm me fëmijët.

Kjo pasi higjiena e lartë e treguar ul ndjeshëm probabilitetin për t’u prekur nga ky virus te pjesa tjetër e nxënësve që qëndrojnë për një kohë të gjatë në një ambient të mbyllur. “Shkollat të hapen. Do t’i këshilloja prindërit të çojnë fëmijët në shkolla, por ndërkohë do t’i këshilloja ata të kujdesen që fëmijët e tyre të bëjnë vaksinën për virusin e influencës stinore. Së dyti, të kujdesen që fëmijët e tyre të kenë kartëpeceta me vete dhe t’i përdorin kur të teshtijnë, duke mbuluar pjesën e gojës dhe të hundës. Së treti , të kenë një shishë ujë me vete për të pirë ujë të sigurt. Së katërti, do t’u thosha drejtorive të shkollave, autoriteteve të pushtetit lokal të marrin masa që në shkolla të mos mungojë uji dhe sapuni. Është e vërtetuar tashmë se larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit”, - pohon mjeku infeksionist.

Parandalimi

Shfaqja e këtij virusi zhvillohet në faza dhe forma të ndryshme, të cilat varen dhe nga rezistenca e organizmit të personit mbartës. Simptomat e shfaqjes së këtij gripi janë të ngjashme me ato të gripit normal, por pasojat mund të jenë të rënda, sikundër mund të ndodhë që të shfaqet dhe në formën më të lehtë. Mjekët shtojnë se shenjat klinike të sëmundjes janë: temperaturë e lartë e shoqëruar me kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë prej personave të prekur kanë shfaqur edhe diarre e të vjella të vazhdueshme. Për këto raste është e këshillueshme që menjëherë sapo të evidentohen këto shenja duhet të konsultohemi me mjekun specialist për të konfirmuar ose jo përhapjen. Personat e prekur nga sëmundja konsiderohen të infektuar gjatë gjithë kohës që janë me këtë grip dhe deri në 7 ditë pas shërimit të plotë nga simptomat, ndërsa fëmijët mund të qëndrojnë të prekur nga ky virus edhe për një kohë më të gjatë.

Higjiena personale

Sipas mjekëve, mbajtja e një higjiene të rreptë personale është kriteri kryesor i frenimit të këtij virusi. “Çdo individ duhet të mbulojë fytyrën kur teshtin apo kollitet, të hedhë facoletën e përdorur në vendin e duhur, të lajë duart sa herë kollitet e teshtin apo sa herë prek fytyrën, si dhe të jetë i kujdesshëm ndaj shokut apo shoqes tek i cili/e cila konstatohet sëmundje të infeksioneve respiratore të poshtme dhe sipërme me shenja si kollë, temperaturë, dhimbje gjoksi.” Kështu, të gjithë pacientët që sapo ndiejnë probleme të tilla është e këshillueshme që të evitojnë ambientet të cilat janë të mbipopulluara, madje për nxënësit këshillohet të mos shkojnë fare në shkollë derisa të jenë zhdukur plotësisht këto shenja.

Këshilla për nxënësit

Përkundrejt udhëzimeve dhe trajnimeve të stafeve që do shërbejnë në shkolla, mjekët rekomandojnë: “...të çojnë fëmijët në shkolla, por ndërkohë do t’i këshilloja ata të kujdesen që fëmijët e tyre të bëjnë vaksinën për virusin e influencës stinore. Së dyti, të kujdesen që fëmijët e tyre të kenë kartëpeceta me vete dhe t’i përdorin kur të teshtijnë, duke mbuluar pjesën e gojës dhe të hundës. Së treti, të kenë një shishë ujë me vete për të pirë ujë të sigurt. Së katërti, do t’u thosha drejtorive të shkollave, autoriteteve të pushtetit lokal të marrin masa që në shkolla të mos mungojë uji dhe sapuni. Është e vërtetuar tashmë se larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit.

Rikthimi i virusit

Për sa i përket rikthimit të virusit sërish te personat që e kanë kaluar atë një herë, specialistët e shëndetit publik pohojnë se në morinë e personave mbartës nuk ka rezultuar asnjë rast që ky grip të jetë rikthyer për herë të dytë tek i njëjti individ. Aktualisht pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohen me medikamente Tamiflu dy pacientë, të cilët kanë manifestuar forma të rënda të virusit. Sipas mjekëve që po merren me trajtimin e këtyre dy rasteve, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë dhe pa probleme. Nga 31 rastet e konfirmuara me këtë virus vetëm 13 prej tyre janë shtruar për ndihmë në spital, pjesa tjetër, pasi kanë marrë trajtimin, janë izoluar në kushtet e shtëpisë.

Çelja e vitit të ri shkollor

Shkollat sot do të presin rreth 650 mijë nxënës

Rreth 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar pritet të ulen në bankat e shkollës gjatë ditës së sotme për të nisur vitin e ri mësimor. Drejtuesit e dikasterit të arsimit pohojnë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në rang vendi që të përballohen prurjet e reja, në përshtatje edhe me kurrikulën e re mësimore, që do të zbatohet jo vetëm në arsimin 9-vjeçar, por dhe në atë të mesëm. Sipas të dhënave të publikuara nga MASH, në rang kombëtar rezultojnë rreth 376 drejtori të shkollave të mesme dhe 1749 drejtori të shkollave 9-vjeçare, që janë gati për çeljen e vitit të ri shkollor. Për herë të parë këtë vit nxënësit e klasës VI përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim). Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj në moshë sa më të vogël (klasa III), vijimësia e gjuhës (klasa VI) si dhe mundësia e gjuhës së dytë në ciklet pasardhëse. Për vitin e ri shkollor struktura e re e gjimnazit do të përbëhet nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje të detyruar apo të lirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›