E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë atletë pozitivë me doping, "shpëtojnë" Pauëll dhe Bolt

Pesë nga 46 atletët e përzgjedhur nga Xhamajka për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Berlin nuk arritën t‘i kalonin testet antidoping. Edicioni në internet i të përditshmes "Jamaica Observer" theksonte se sportistët rezultuan pozitivë, duke u bazuar në pohimet e "burimeve të mirinformuara". Pesë atletët e kapur me substanca të ndaluara, katër meshkuj dhe një femër, i ishin nënshtruar testit gjatë muajit të kaluar në kampionatin e Kingstonit. Gazeta theksonte se në skandalin e dopingut nuk është përfshirë rekordmeni i botës në garën e 100 metrave, Usain Bolt dhe ish-rekordmeni Asafa Pauëll. Në bazë të informacioneve që "Jamaica Observer" zotëronte, atletët që kishin përdorur doping nuk figuronin në listën e sprintierëve të niveleve të larta. Tre prej sportistëve që rezultuan pozitivë, femra e vetme dhe dy meshkuj, ishin pjesë e garave me stafetë 4x100. Ndërsa dy atletët e tjerë konkurronin në stafetën 4x400. Deri më tani, Federata Xhamajkane nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka përgënjeshtruar lajmin. "Nuk zotërojmë asnjë informacion zyrtar", theksoi drejtori i komunikimit në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF), Nik Davis. "Këto lloj testesh varen nga federata në Xhamajkë dhe nga agjencia antidoping e këtij vendi, pasi ishte një aktivitet kombëtar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›