Adebajor: Tifozët e Arsenalit më dhanë shtysën për t‘u larguar
Emanuel Adebajor ka akuzuar tifozët e Arsenalit se e shtynë që të largohej drejt Mançester Sitit. 25-vjeçari ishte blerja më e fundit e sheikëve arabë në "Islends": më 18 korrik ai u transferua për rreth 30 milionë euro, duke u dhënë fund spekulimeve të gjata rreth së ardhmes. Krisja e sulmuesit nga Togo me një pjesë të konsiderueshme erdhi që prej verës së kaluar, kur ai "flirtonte" me Barcelonën dhe Milanin. Adebajor është shprehur i pakënaqur me trajtimin që i rezervuan tifozët, pavarësisht se në sezonin 2005/‘06 ishte një prej lojtarëve më të spikatur të "topçinjve". "Mënyra sesi tifozët u sollën me mua nuk ishte aspak e këndshme", deklaroi lojtari. "Ende nuk arrij ta kuptoj përse më vendosën në qendër të vëmendjes. Kam dhënë gjithmonë maksimumin, ndihesha i lumtur tek Arsenali. Shënova 30 gola brenda një sezoni dhe nuk është faji im nëse Milani, Barcelona apo Reali i Madridit kërkonin të më blinin. Sa herë që hapet merkato, Barça kërkon të marrë Çesk Fabregas, por tifozët nuk iu kundërvunë asnjëherë mesfushorit". Në maj, edhe Arsen Venger ka pranuar se "sjellja e tifozëve kishte ndikuar në paraqitjet e sulmuesit". Por, fansat në stadiumin "Emirates" i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se Adebajor po përdorte pretekste për të justifikuar një largim që lidhej vetëm me paratë.