E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet ardhja e ish sekretares Albright në Prishtinë

(E plotesuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar pjesëmarrjen e ish sekretares amerikane, Madeleine Albright, në Samitin Ndërkombëtar të Gruas, me temën: “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”, që organizohet në Prishtinë nga data 4 deri më 6 tetor.

Samiti Ndërkombëtar i Gruas pritet të ketë rreth 200 pjesëmarrëse nga gjithë bota dhe nga vendi. Qëllimi i këtij samiti do të jetë avancimi i gruas në shoqërinë tonë dhe shoqëritë e tjera, por gjithashtu edhe fuqizimin e saj në vendimmarrje.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga gjatë një konference të mbajtur të martën, duke folur për Samitin Ndërkombëtar të Gruas, ka thënë se ky samit do të mbahet nga 4 deri më 6 tetor, ku pjesëmarrës do të jenë edhe 200 pjesëmarrës.

E para vendit ka thënë se në këtë samit do të diskutohen temat që kanë të bëjnë për rolin e gruas në vendimmarrje dhe fuqizimin e saj.

“Gjatë samitit do të adresohen të gjithë faktor të cilët ndikojnë në avancimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe temat janë kryesisht me zhvillimin ekonomik apo me fuqizimin ekonomik të grave në përfaqësimin politik të grave dhe rolin e gruas në vendimmarrje si dhe të drejtën e pronës dhe qasja e gruas në burime. Gjithashtu do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me rolin e gruas në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar si dhe për të drejtën e gruas në qasje në drejtësi dhe në siguri”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.

Hapjen e këtij samiti, sipas saj do të bëjë ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright, e cila do të flas për avancimin e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shtetit.

“Samiti do të hapet me datën 4 tetor me pjesëmarrjen e sekretares Albright dhe adresimin e saj për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti. Përmes këtij samiti synohet avancimi i çështjeve gjinore në të gjitha fushat duke kapërcyer të gjitha kufijtë dhe të gjitha dallimet etnike, racore apo fetare”, ka theksuar ajo.

Presidentja Jahjaga, po ashtu tha se Kosova dhe kryeqyteti i Kosovës në këto ditë, gjatë mbajtjes së konferencës do të shndërrohet në një në qendër të botës, ku do të diskutohet progresi dhe të gjitha ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë.

Sipas saj, ky është samiti i parë i këtij lloji që organizohet në Kosovë, por edhe në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

E pyetur se mungesën e pjesëmarrjes së Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, ajo ka thënë se idenë e samitit e ka përkrahur Sekretarja Clinton, por ka kërkuar ndjesë për mos pjesëmarrjen në këtë samit për shkak të agjendës që ka pasur.

Ky samit organizohet me mbështetjen financiare të USAID-it dhe me mbështetjen në aspektin organizativ nga National Democratic Institute (NDI).

Pjesëmarrëse në këtë samit do të jenë rreth 100 gra nga Kosova dhe 100 të tjera nga rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe nga Amerika.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›