Opozita kryeson në Gjeorgji, Saakashvili pranoi humbjen

Saakashvili tha se partia e tij do të kalojë në opozitë dhe se opozita tani ka të drejtë që ta formojë qeverinë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Gjeorgjisë njoftoi se me gati një të katërtën e votave të numëruara, koalicioni opozitar “Ëndrra gjeorgjiane”, i udhëhequr nga miliarderi Bidzina Ivanishvili, është duke udhëhequr si në votimet për listat e partisë, ashtu edhe në votimet e drejtpërdrejta.
Vëzhguesit e OSBE-së thonë se Gjeorgjia ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të zgjedhjeve demokratike, por ende mbetet punë për tu bërë në disa çështje të rëndësishme.
Sipas OSBE-së, pavarësisht një fushate të polarizuar, gjeorgjianët kanë dëshmuar vullnetin e tyre në kutitë e votimeve.
Lëvizja opozitare “Ëndrra gjeorgjiane” mund të marrë së paku 93 nga 150 vende në parlament.
Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që pas Revolucionit të Trëndafiltë në vitin 2003.
Miliarderi pa shumë përvojë politike, Ivanishvili, është shpresa për shumë njerëz, që të arrijnë mirëqenien.