Konfirmohet kidnapimi i një deputeteje afgane

Zyrtarët afganë kanë konfirmuar se një pjesëtare femër e parlamentit është kidnapuar. Policia ka thënë të mërkurën se Fariba Ahmadi Kakar është marrë peng gjatë fundjavës derisa udhëtonte me tre fëmijët e saj në krahinën Ghazni.Guvernatori i këtij rajoni, Ali Ahmadi ka thënë se forcat e sigurisë kanë arritur të lirojnë tre fëmijët gjatë një operacioni të zhvilluar të hënën, mirëpo Kakar ka qenë duke u mbajtur në një lokacion tjetër, raporton rel.
Policia vendore ka thënë se kidnapuesit janë duke kërkuar lirimin e katër militantëve të talibanëve nga burgu.
Zëdhënësi i Talibanëve, Zabihullah Muxhahid ka thënë se ai nuk ka informacion rreth kidnapimit.
Fillimisht ka pasur huti rreth kidnapimit të kësaj deputeteje. Bashkëshorti i saj ka thënë se ajo nuk është marrë peng dhe se po qëndron në Turqi, derisa të afërmit e tjerë të saj kanë thënë se ajo është në spital. Kidnapimi i saj është bërë pasi një senatore femër afgane, Rooh Gul, ishte lënduar me armë zjarri./Indeksonline/