Opozita kërkon ndërprerjen e privatizimit të PTK-së

Ka mbetur pezull çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, pasi sërish është shtyrë afati për nënshkrimin e kontratës për shitjen e këtij aseti. Përfaqësues të konsorciumit “Axos & Najafi Companies” as herën e tretë nuk kanë qenë të gatshëm të vendosnin firmat të tyre për të blerë 75% të aksioneve të kompanisë më fitimprurëse në Kosovë. Me luajtjen e këtyre datave dhe me shtyrjen përsëri të afatit nuk po pajtohen dy partitë opozitare, LDK-ja dhe “Vetëvendosje”, raporton KTV.
Anëtari i grupit të ekspertëve të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se tashmë procesi i privatizimit të PTK-së tërësisht duhet të ndërpritet. Ndërsa, Visar Ymeri, nga “Vetëvendosje”, ka thënë se që nga fillimi ky proces ka qenë i jashtëligjshëm, jotransparent dhe krejtësisht në dëm të ekonomisë së vendit. Sipas tij, fakti që nënshkrimi i kontratës po dështon, përforcon dyshimet e tyre se prapa kësaj blerjeje qëndrojnë njerëz të Qeverisë.
Kompania “Axos”, pasi ka arritur fillimisht të merrte premtimin për zbritje të çmimit prej 20 milionë eurosh me licencat 3G, ka vazhduar të kërkojë që çmimit prej 277 milionë eurosh t’i zbritet çmimi për 90 milionë euro./Indeksonline/