E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfirmon kryeministri Berisha: Kjo mazhorancë do të jetë fituese edhe në zgjedhjet e vitit 2013

TIRANE – “Ne do të vazhdojmë me investime deri ditën e fitores së ardhshme më 2013-ën”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, gjatë ceremonisë së inaugurimit të rrugëve dhe rrugicave në zonën e Laprakës, duke garantuar se investimet infrastrukturore nuk do të ndalen nga kjo qeveri deri ditën e fitores së ardhshme më 2013-ën.
“Shpreh kënaqësinë që ne festojmë së bashku fitoren dhe këtë projekt të ri dhe dua t’ju informoj ju dhe mbarë shqiptarët se këto 4 vite ne do të vazhdojmë të festojmë fitoren në çdo fshat dhe qytet të këtij vendi me projekte te reja. Çdo ditë dhe çdo javë do të inaugurojmë fillim punimesh dhe përfundime punimesh të rrugëve, ujësjellësve dhe kanalizimeve, të shkollave, sistemeve të vaditjes dhe shërbimeve të ndryshme dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri ditën e fitores së ardhshme më 2013”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë Berisha, shtoi se është e qartë si drita e diellit, se ky vend ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë.
“Ky vend ka nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për shkolla dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për ujësjellës kanalizime dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për shërbime dhe ne po i ngremë ato; ka nevojë për turizëm dhe vjen gjithnjë në rritje; Shqipëria ka nevojë për zhvillim dhe ne së bashku pikërisht këtë po bëjmë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit u kërkoi banorëve të zonës Laprakë, por edhe të gjithë shqiptarëve, që të bëhen pjesë e projektit evropian, i cili do ta ndryshojë Shqipërinë ndjeshëm në këto katër vjet.
“Le të vazhdojmë së bashku edhe një herë në ndryshim e këtij vendi. Shqipëria po ndryshon, por këto 4 vite do të ndryshojë më shpejt se kurrë në tërë historinë e saj. Shqipëria do të shkojë në qershorin e vitit 2013, si një vend i sukseseve të mëdha, si një vend i ndryshimeve më të thella, si një vend i përgatitur për verdiktin përfundimtar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për integrimin e saj të plotë”, deklaroi kryeministri.
Hapja e vendeve të reja të punës, ka qenë një tjetër pikë, të cilët kryeministri Berisha i kushtoi rëndësi dhe siguroi se qeveria do të mbajë premtimin elektoral, për hapjen e 160 mijë vendeve të reja.
“Katër vitet që vijnë ne angazhohemi denjësisht të krijojmë në këtë vend mbi 160 mijë vende pune”, tha Berisha.
Kryeministri shtoi se “Lapraka evropiane, Tirana evropiane, Shqipëria evropiane është dhe do të mbetet motoja e jonë”.
Kreu i qeverisë Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e punimeve të rrugëve të brendshme të lagjes Laprakë, në Tiranë. Me një financim të Cooperacionit Italian prej 3 milionë eurosh, përfundimi i 13 rrugëve që kapin një gjatësi prej 7 kilometrash, u përshëndet edhe nga ambasadori Italian Saba D’Elia. Në përshëndetjen e tij para banorëve, për mbështetjen që i dhanë Partisë Demokratike në zgjedhje, kryeministri Berisha u shpreh se Lapraka ka sot një infrastrukturë krejtësisht të re, si në sistemimin e saj rrugor, në kanalizime, në sistemin e furnizimit me ujë, telefoninë dhe të gjitha shërbimet.
Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të financojë çdo projekt që kryetari i minibashkisë Laprakë do të paraqesë.
Ndërsa ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia citoi këtu vetëm një pjesë të vogël të atyre dhjetëra dhe qindra projekteve që në kuadrin e Cooperacionit Italian zbatohen në mbarë vendin.
“Projekti i sotëm është një dëshmi e re e suksesit të këtyre investimeve”, tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›