E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallen nesër rezultatet zyrtare të 28 qershorit. Në të njëjtën ditë, nisin negociatat për qeverinë PD-LSI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet paraditen e nesërme për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. KQZ miratoi katër ditë më parë 59 mandatet e fundit të deputetëve për Qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Fierit, duke e bërë thuajse gati rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu referuar një neni të Kodit Zgjedhor, tha se Komisioni është i detyruar ta shtyjë edhe me 5 ditë të tjera deklarimin zyrtar të rezultateve zgjedhore me shifra, mandate dhe tabela. KQZ përmbylli më 27 korrik procesin e ndarjes së mandateve sipas koalicioneve dhe shpalljen e 140 kandidatëve fitues në 12 qarqet e vendit, ndërkohë që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit u vendos të shpallej zyrtarisht më 1 Gusht. Sipas rezultateve të KQZ-së, koalicioni "Aleanca e Ndryshimit", i kryesuar nga PD, është fitues me 70 mandate, koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim", i drejtuar nga LSI ka marrë 4 mandate dhe koalicioni "Bashkimi për Ndryshim", i udhëhequr nga PS, fiton 66 mandate. Ndërsa ndarja e mandateve sipas partive politike është: Partia Demokratike fiton 68 mandate, Partia Socialiste 65 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim, 4 mandate, Partia për Drejtësi dhe Integrim 1, Partia Republikane 1 dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1 mandat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›