E Diel, 1 Nëntor 2026

Me votim të hapur, Halili president i ri i Tiranës

 

Leonard Karaj

Refik Halili është zgjedhur president i ri i Tiranës. Fakt është se ai ka qenë kandidati i vetëm në Asamblenë e Jashtëzakonshme të mbledhur mbrëmjen e djeshme ndaj edhe votimi nuk u bë i fshehtë.Drejtuesit e asamblesë kërkuan që anëtarët të shpreheshin pro ose kundër Halilit president vetëm me një të ngritur të dorës. Verdikti solli edhe një herë Halilin si president ashtu sikundër edhe vitin e kaluar me ndryshimin thelbësor se këtë herë ky i fundit zgjidhej nga asambleja e klubit dhe jo nga kolegët donatorë. Në asamble merrnin pjesë 41 anëtarë, kuorum i mjaftueshëm ky sipas statutit të klubit për zhvillimin e saj. Por kjo pikë është kontestuar nga ish-futbollisti i Tiranës, Ardian Mema, i cili pretendoi se në bazë të statutit të 1993-it ky numër duhej të ishte minimalisht 71. Mema kontestoi edhe legjitimitetin e anëtarëve të kryesisë dhe të komisioneve të zgjedhur në këtë asamble. Polemikës së tij iu përgjigj avokati Riza Icka i cili pohuar se ishte bërë gjithçka konform statutit të klubit. Ndërkohë që binte në sy mungesa e Presidentit të Republikës Bamir Topi, një ish-president dhe një tifoz i flaktë i skuadrës së Tiranës. Topi ka shkuar vetëm para nisjes së asamblesë ku ka pirë një kafe me disa pjesëmarrës dhe më pas është larguar duke mos hyrë në sallën ku u zhvillua kjo asamble. Ndërsa Refik Halili në fjalën e tij premtoi se do të ndërtonte një fushë tjetër pranë asaj ekzistuese të “Skënder Halilit” dhe do të bënte një merkato cilësore me qëllim që të krijonte një skuadër po aq kompetitive sakundër vitin e kaluar, e cila nuk do të diskutojë edhe për sezonin 2009-2010 titullin kampion në Kategorinë Superiore. Halili kërkoi me ngulm menaxhimin e reklamave të klubit dhe të gjitha beneficet që vijnë nga këto të fundit.

Presidentët

1. Bahri Toptani (vitet ’20-’30)
2. Stefan Shundi (vitet ’30)
3. Selman Stërmasi (vitet ’30-’40)
4. Lame Konomi (vitet ’60-’70)
5. Nuri Bylyky (vitet ’80)
6. Çlirim Hysi (vitet ’80)
7. Zija Shaba (vitet ’80-’90)
8. Metush Seferi (1993-1998)
9. Lutfi Nuri (1998-1999)
10. El Sajed (1999-2004)
11. Fatmir Frashëri (2004-2005)
12. Bamir Topi (2005-2007)
13. Refik Halili (2008-2009)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›