Konfiskimi i kateve shtesë për qëllime fitimi, zhvillohet seanca në GJK, PD rendit arsyet se përse duhet të shfuqizohet VKM-ja

Seanca e tretë në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me VKM për konfiskimin e kateve shtesë të ndërtesave për qëllime fitimi, është zhvilluar me debate. Drejtuesja e seancës në Kushtetuese u bëri thirrje palëve që diskutimet të mbeten brenda kuadrit ligjor, si dhe të shmangnin akuzat politike.
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se VKM-ja favorizon një grup të caktuar oligarkësh, dhe se pronat e konfiskuara duhet të dalin në ankand. Ndërsa përfaqësuesja e qeverisë, u shpreh se dalja e pronave në ankand nuk përjashtohet në vendim.
Përfaqësuesi i PD-së, avokati Marash Logu, tha gjatë seancës VKM-ja cënon të drejtën e pronës së qytetarëve. Sipas tij, në tërësi cënohet parimi i hierarkisë së normave, parimi i barazisë para ligjit, e drejta e pronësisë dhe e drejta për një proces të rregullt gjyqësor.
“Kërkojmë shfuqizimin e vendimit “për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik për objektet e ndërtuara pa leje si të papërputhshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.”- deklaroi Logu.
Pas seancës, Logu deklaroi për mediat se VKM synon të ligjërojë pabarazinë e qytetarëve para ligjit.
“Nëse je një qytetar i thjeshtë që ke riparuar çatinë e shtëpisë, shkon në burg dhe gjobitesh, por nëse je ndërtues që ke ndërtuar 10 kate pa leje në qendër të Tiranës të jepet mundësia ta legalizosh, pa bërë burg, madje edhe duke pasur asistencën institucionet shtetërore për ndjekjen e këtyre procedurave. Kjo amnisti e oligarkëve pranë qeverisë është një nga arsye kryesore pse duhet të shfuqizohet VKM”- deklaroi Logu për mediat.
/rtsh.al/