Tiranë/ Pesë ditë pas arrestimit, i riu shkon në spital në gjëndje të rëndë, AMP mbledh provat për tia dorëzuar prokurorisë

Agjencia e Mbikqyrjes Policore në Tiranë ka nisur mbledhjen e provave për 27 vjeçarin i cili u vu në pranga më 12 prill dhe 5 ditë pas arrestimit, më 17 Prill është dërguar me urgjencë në Spitalin Universitar Nënë Tereza në Tiranë.
Më 30 prill në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim nëna e të arrestuarit
“AMP-së Tiranë, kanë administruar kallëzimin e kësaj shtetaseje, kanë sekuestruar të gjithë praktikën procedurale dhe shëndetësore për këtë të arrestuar, kanë pyetur më cilësinë e personit që tregojnë rrethana të dobishme për hetimin, disa punonjës Policie dhe stafin mjekësor të Bllokut të Sigurisë, dhe materialet do ti kalojnë për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë” thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
I riu ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore thuhet në një deklaratë të CENTRE FOR LEGAL EMPOWERMENT-CLE e cila denoncoi rastin më 30 prill dhe kërkon nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ta hetojnë menjëherë.
Sot përmes një njoftimi për median, policia e Tiranës zbardh rrethanat e ngjarjes.
Më datë 12.04.2023, është arrestuar shtetasi J. R., për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Me datë 14.04.2023, kohë që ky shtetas ka qenë në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë, ka shfaqur shqetësime shëndetësore, dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.
Me datë 15.04.2023, ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kjo Gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Me datë 16.04.2023, pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe ky i arrestuar është dërguar në IEVP-313, Tiranë. Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.
Me datë 17.04.2023, shtetasi J. R., ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, me datë 19.04.2023, në ambientet e spitalint “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Më datë 30.04.2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja P. R., (nëna e të arrestuarit) e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj.
Në deklaratën e qendrës CLE thuhet se familjarët kanë njoftuar qendrën se i riu nuk ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore dhe dyshojnë se gjëndja e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet aktualisht i riu është pasojë e një dhunimi gjatë qëndrimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Mine Peza, (302)
/rtsh.al/