E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbulohet baza e prostitucionit në Vlorë, shkatërrohet rrjeti kinez

Policia e Vlorës ka zbuluar dhe goditur një rrjet të shfrytëzimit të femrave për prostitucion, i cili drejtohej nga shtetas kinezë. Operacioni policor i koduar “Victim” (Viktima), i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, çoi në zbulimin e një apartamenti në lagjen “Pavarësia” që shërbente si bazë për këtë veprimtari të paligjshme.

Hetimet proaktive zbuluan se tre shtetas kinezë kishin organizuar veprimtarinë kriminale duke marrë një hyrje me qira posaçërisht për ta përdorur për prostitucion.

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga dy organizatorët:

X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë;

B. W., 31 vjeç, banues në Kinë.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtoren e tretë, shtetasen K. X., 50 vjeçe, dhe po punon për lokalizimin e saj.

Sipas bluve të Vlorës, të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shfrytëzonin për prostitucion një bashkëkombëse të tyre, shtetasen J. G., 52 vjeçe.

Gjatë ndërhyrjes në apartament, 52-vjeçarja u konstatua së bashku me një klient, shtetasin E. B. Të dy këta persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për hetime të mëtejshme mbi aktivitetin e këtij grupi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›