Konfiskohen materiale propagandistike

Një numër i gazetave, si material propagandues “Srpske Novine”, janë identifikuar dhe sekuestruar në Vushtrri, pas ndalimit dhe kontrollit të një automjeti.
Policia e Kosovës njofton se rreth orës 10 e 30 minuta të së martës, njësitë e trafikut rajonal të Policisë së Kosovës, gjatë një kontrolli në trafik, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në hyrje të Vushtrrisë, kanë ndaluar një veturë civile tip “Opel Vectra” me targa “KS”, me pesë persona në automjet, dy meshkuj dhe tri femra, gjithë të përkatësisë etnike serbe.
Gjatë kontrollit të automjetit, njësitë policore kanë identifikuar një sasi prej 38 gazetave të emëruara si “Srpske Novine”, të shtypura në Toronto të Kanadasë, në alfabetin cirilik në gjuhën serbe, në emër të “lëvizjes çetnike të Ravna Gorës” (origjinal “Cetnicki Ravno Gorski Pokret”).
Automjeti së bashku me materialin e identifikuar dhe të pesë personat në automjet, janë shoqëruar në stacionin policor në Vushtrri, për sqarim të rrethanave të paraqitura.
Materiali i identifikuar i cili sipas personave që po bartnin të njëjtin, ishte siguruar në veri të Mitrovicës ndërsa destinimi i këtij materiali propagandues, ishte një nga kishat ortodokse serbe të qytetit të Shtimes.
Policia e Kosovës, ka sekuestruar materialin ndërsa ka njoftuar prokurorin publik lidhur me rastin.
Sipas udhëzimeve të prokurorit publik, rasti është iniciuar si vepër penale e paraparë në bazë të nenit 115 të Kodit Penal të Kosovës, “nxitje e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor, fetar a etnik”.
Ndaj një personi, të gjinisë femërore, S. Antonijevic (1962), banore e Beogradit, Republika e Serbisë, është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, pasi i njëjta ka deklaruar se i tërë materiali i takonte asaj ndërsa katër personat e tjerë, pas deklaratave të dhëna në Polici, janë liruar nga lokalet policore.
Drejtoria për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, është informuar lidhur me arrestimin dhe ndalimin e shtetases së republikës së Serbisë.