Cliff: Të punohet me SHBA-në dhe BE-në për fuqizimin e Ballkanit

Ambasadori Britanik në Prishtinë, Ian Cliff, në fjalën e tij theksoi nevojën që të punohet bashkërisht në mënyrë të përgjithshme, ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për fuqizimin e Ballkanit.
“Mendoj se është posaçërisht interesante se janë bërë përpjekje të mëdha këtu në Kosovë në mënyrë që të fillojnë të zhvillohen disa lidhje jo vetëm me SHBA-të, por edhe me Evropën dhe vendet tjera, si për shembull me Arabinë dhe me vendet e Caricom-it. Sidoqoftë është mirë që të punohet në këtë drejtim me SHBA-të dhe Evropën, të punohet në mënyrë të përgjithshme, për fuqizimin e Ballkanit”, tha Cliff, raporton pos tjerash, zyra për informim e MPJ, përmes një komunikate për media.
Konferenca e organizuar nga Këshilli Britanik në Kosovë dhe në Washington DC, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe MPJ e Kosovës, do të zhvillojë punimet edhe nesër e pasnesër.
Në hapje të punimeve të konferencës, me prezantime hyrëse, të pranishmëve i janë drejtuar, Rebecca Zylberman nga Këshilli Britanik në Washington DC, drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi si dhe publicisti dhe historiani i mirënjohur, Tim Judah.