Konflikt mes deputetëve të PS-së, Braçe sulmohet në miting
Një nga socialistët më të vjetër dhe më militantë në Partinë Socialiste, deputeti i Beratit, Erion Braçe, është sulmuar verbalisht nga një militant partiak në protestën e zhvilluar në këtë qytet. Socialistët e këtij qyteti janë të ndarë për shkak të mosmarrëveshjeve mes Braçes dhe deputetit tjetër të qarkut, Fidel Ylli, të cilët nuk bashkëpunojnë në organizimin e mitingjeve dhe kanë krijuar linja paralele mbështetje brenda strukturave të degës. Nuk dihet nëse incidenti i para dy ditëve ka pasur lidhje me këtë konflikt Braçe-Ylli. Siç mësohet, incidenti ndodhi në përfundim të fjalës së deputetit Braçe në protestën e zhvilluar në lagjen 30-vjetori të qytetit të Beratit. Ish-kreu i Policisë Elektrike, Muharrem Meta, ka dalë në podium, duke marrë mikrofonin i drejtohet publikut: Mos e dëgjoni këtë se gënjen dhe mashtron!. Në këtë protestë, Braçe shoqërohej nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj dhe kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi. Ndërkohë një tjetër protestë zhvillohet në të njëjtën kohë në Qarkun e Beratit. Në Çorovodë, deputeti i kësaj zone, Fidel Ylli, i cili shoqërohej nga kryetari i qarkut të Beratit, Pelivan Shatri dhe disa kryetarë komunash, u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të marrin në dorë fatet e tyre. Vetëm pak ditë më parë Braçe dhe Ylli nuk i kursyen as sulmet publike ndaj njëri-tjetrit. Ndërkohë Braçe ka krijuar shumë kundërshtarë dhe në radhën e socialistëve, pasi në fushatën e qershorit ai bëri fushatë kundër kandidatëve të G99, që ishin ish-funksionarë të PS-së dhe mbështeteshin nga socialistët.