E Diel, 1 Nëntor 2026

Burimi i Rugovës

Lidhja Demokratike e Kosovës është rikonfirmuar forca e parë në Istog, në vendlindjen e themeluesit të saj, ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Kandidati i kësaj partie, Haki Rugova ka arritur të fitonte bindshëm të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës.

Megjithëkëtë LDK nuk i ka ndezur fishekzjarrët, pasi që gara duket se nuk do të mbarojë me kaq. Në Istog mund të ketë balotazh, ku do të përballen kandidati i LDK’së me atë të PDK’së, e jo me kandidatin e AAK’së siç kishte ndodhur në raundin e dytë dhjetorin e vitit të kaluar.

Koncentrimi i njerëzve, pas mbylljes së vendvotimeve, ka qenë tek selitë e partive politike kur drejtuesit e tyre numëronin votat në bazë të rezultateve që merrnin nga komisarët e tyre në terren.
Në kampin e LDK’së besojnë se nuk do të ketë balotazh.

“Sipas rezultateve tona rreth pesëdhjetë për qind e votave i kemi fituar, por nuk janë rezultatet përfundimtare”, ka thënë Haki Rugova i LDK’së, pranë të cilit të dielën qëndronin Ismet Beqiri dhe Naser Osmani.

Ish-Kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri ka qenë i angazhuar për t’i numëruar votat e LDK’së që kanë ardhur nga shtabet elektorale. Ai vazhdimisht është rifreskuar me të dhënat që ka mbledhur nga terreni.

“Në Vrellë paska marrë më shumë partia e ish-Kryeministrit”, ka thënë Beqiri, duke aluduar në Kryeministrin Thaçi.

“Po more ai qenka Kryeministër”, e ka “përmirësuar” gabimin Beqiri.
E në AAK nuk ishte ditë e mirë për batuta.

Në kampin e AAK’së ishte atmosferë mortore.
Pas publikimit të rezultateve nga LDK dhe “Demokracia në Veprim”, zyrtarët e AAK’së janë shprehur të sigurt se do të jenë në balotazh me LDK’në, pavarësisht se rezultatet sqarojnë se PDK’ja ka dalë e dyta.

“Ia urojmë fitoren Kryetarit të ardhshëm të Istogut, profesor Shatrit”, ka thënë Donika Kadaj-Bujupi.

Megjithëkëtë në kampin e PDK’së janë shprehur të kënaqur me rezultate dhe i kanë uruar kandidatit të tyre Shasivar Haxhiajt kalimin në balotazh.

Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Adem Grabovci ka thënë se kandidati i tyre ka arritur këtë sukses falë programit dhe vizionit të tij për të përmirësuar jetën e qytetarëve të këtij qyteti.

“Kjo është edhe një dëshmi se kandidati i PDK’së do të dalë fitues edhe në balotazh”, ka thënë Grabofci.

Në kampet e AKR’së dhe LDD’së, ndërkaq, ka mbretëruar heshtja.

Sikurse në dy raundet e tjera, këto dy parti kanë vazhduar me rënie të elektoratit dhe nuk kanë arritur ndonjë rezultat. Ndërkohë, nëpër rrugët e qytetit të Istogut nuk është parë asnjë simpatizantë i Dacit dhe Pacollit, të cilët kanë garuar ndaras në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Rezultatet preliminare

Pak para mesnatës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Istogut.
Sipas KQZ’së, kandidati i LDK’së ka fituar 7338 vota ose 49.7 për qind, kandidati i PDK’së ka marrë 3189 vota ose 21.6 për qind, kandidati i AAK ka fituar 3170 vota ose 21.5 për qind, kandidati i LDD’së ka marrë 576 vota ose 3.9 për qind dhe kandidati i AKR’së ka fituar 483 vota ose 3.3 për qind.

Anëtari i KQZ’së nga LDK, Florian Dushi, i cili të dielën ka kryesuar këtë institucion, tha se janë edhe 213 vota me kusht të cilat nuk janë numëruar ende, ashtu sikurse edhe votat që kanë mbërritur përmes postës.

“T’i presin rezultatet përfundimtare. Vetëm atëherë do ta dimë nëse do të ketë apo jo balotazh në Istog”, ka thënë Dushi.

Sipas tij, KQZ shumë shpejt do t’i japë edhe rezultatet përfundimtare të garës së të dielës.

Edhe koalicioni i OJQ’ve “Demokracia në Veprim” nxjerrë fitues kandidatin e LDK’së.

Sipas “Demokracia në Veprim” kandidati i LDK’së, Haki Rugova ka fituar 7.268 vota ose 49.29 për qind, Shasivar Haxhiaj i PDK’së 3.239 ose 21.97 për qind, Muhamet Shatri i AAK’së 3.178 ose 21,55 për qind, Rifat Osmanaj i LDD’së 576 vota ose 3.91 dhe Ismet Mulaj i AKR’së 483 ose 3.28 për qind.

Sipas përfaqësuesve të “Demokracia në Veprim” çështja e balotazhit nuk dihet për shkak se duhet të numërohen edhe votat me kusht, numri i të cilave është 214, derisa numri i votave të pavlefshme është 116.

Ndryshe, sipas këtyre OJQ’ve, numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje është 15.011 votues ose 38.2 për qind.

Akuzat

Partitë politike që garuan të dielën në Istog, gjatë tërë ditës kanë shkëmbyer akuza mes vete, megjithëse në prononcimet për gazetarë ato i bënin thirrje qytetarëve që ta ruanin qetësinë dhe mos ta prishnin procesin elektoral.

I pari që ka hedhur votën në kutinë e votimit prej kandidatëve që kanë konkurruar për Kryetar komune ka qenë Muhamet Shatri (AAK) , i cili pas votimit ka kërkuar nga qytetarët e Istogut që të ruhet imazhi i mirë i zgjedhjeve në Istog dhe të votojnë lirshëm për kandidatin e preferuar. Vetëm gjysmë ore prapa, pikërisht në orën 10:30 minuta, ka votuar edhe kandidati i LDK’së, Haki Rugova, në qendrën numër 1 në Istog dhe është shprehur i kënaqur me procesin e votimit të deritashëm dhe ka kërkuar nga qytetarët të votojnë qetë dhe lirshëm.

Në orën 11 ka votuar në Vrellë edhe kandidati i PDK’së, Shasivar Haxhiaj, ndërsa po në të njëjtën kohë ka votuar edhe kandidati i AKR’së, Ismet Mulaj, por në Banjë.
Derisa Haxhiaj ka uruar për fushatë të qetë dhe të lirë, Mulaj ka kërkuar që të mos prishet imazhi i zgjedhjeve në Istog, ndërsa ka dënuar incidentin që ka ndodhur në Banjë.

“U bëj thirrje partive politike që t’i tërheqin bandat që kanë ardhur nga jashtë për ta prishur imazhin e mirë të zgjedhjeve”, ka thënë ai, duke lënë hapësirë që secili qytetar të votojë për kandidatin e preferuar.

Në një konferencë për media, Donika Kadaj-Bujupi, ka akuzuar kandidatin e PDK’së për Kryetar Shasivar Haxhiajn për prishje të ligjit zgjedhor, ku sipas saj, ai ka bërë propagandë politike në favor të tij në qendrën e votimit në Vrellë, pas votimit.

Gjithashtu ajo ka akuzuar partitë kundërshtare edhe për incidentin e ndodhur në Banjë.

“Po bëhen manipulime edhe me njerëz të vdekur dhe manipulime edhe me letërnjoftime”, ka thënë Kadak-Bujupi.

Ndërkaq, Sekretari i LDK’së Hazbi Bajra e ka vlerësuar të qetë dhe pa probleme të mëdha procesin e zgjedhjeve të sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›