Konfliktet kanë dëmtuar imazhin e Kosovës

Regjisorja Blerta Zeqiri është e pranishme në Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar me dy filma: “OK” ku luajnë aktoret Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi dhe “Kthimi”, film ky që është shpërblyer në Sundance Film Festival. Zeqiri është regjisore e re, e cila ngacmohet veçanërisht nga temat e të drejtave të njeriut.
“Kaloj kohë për të menduar për të drejtat e njeriut. Ka aq shumë probleme si të drejtat e grave, që në Kosovë janë edhe më keq se në Shqipëri, fëmijët, të drejtat e pakicave kombëtare, romëve, etj. Gjej mënyrat që këto tema të bëhen me buxhete të vogla, fillimisht kam nisur të bëj filma minimalistë, për shkak të buxheteve të vogla, por tashmë kanë filluar të jenë edhe në preferencat e mia”, thotë Zeqiri në një intervistë për Gazetën Shqip të Tiranës. Sa i rëndësishëm është për të konkurrimi në një festival vetëm me realizime shqiptarësh.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme dhe jam e lumtur që ekziston ky festival. Veçanërisht ne që bëjmë filma të shkurtër, nuk kemi asnjë mundësi tjetër ku t’i shfaqim filmat tanë, apo të garojmë me ta diku tjetër. Kështu që sa më shumë të ketë festivale ku mund të shfaqim filmat tanë, aq më të lumtur jemi ne si krijues, sepse s’ka asnjë rrugë tjetër si ta promovojmë punën tonë”, thotë Zeqiri. Në fakt, filmi “Kthimi” ishte duke bërë një histori suksesi, deri edhe në prag të përfaqësimit të Kosovës në “Oscar” për vitin e ardhshëm, por një konflikt me producentin e filmit, Blerim Gjoci, duket se ka mbyllur shumë rrugë.
“Shpërblimi për të cilin jemi kualifikuar për ‘Oscar’ është tërhequr. Ata kanë mundësinë të ndërrojnë listën e shpërblimeve, pa njoftuar askënd. Unë nuk mund ta heq dyshimin se e kanë tërhequr atë shpërblim për hir të problemeve që kanë ndodhur me filmin ‘Kthimi’. Humbja më e madhe që ka pësuar filmi ka qenë në ‘Europian Film Academy’, ku ka qenë i nominuar dhe ka qenë suksesi më i madh që një film kosovar ka pasur deri më sot. Mirëpo, personi i cili është shënuar si producent, ka të gjitha të drejtat kontraktuale të vendosë se ku e si shfaqet filmi, kështu që ai ka vendosur ta tërheqë atë”.
“Moralisht na ka dëmtuar shumë të gjithëve ne që kemi punuar në film dhe ka dëmtuar edhe më shumë Kosovën, pasi edhe në rast se një tjetër film nga Kosova mund të jetë artistikisht i arrirë për t’u nominuar, këto struktura të njohura kinematografike kanë për ta menduar mirë. ‘Europian Film Academy’ promovon regjisorët dhe producenti ka kërkuar që të ishte ai si regjisor, por ata nuk kanë pranuar të ndërrojnë titrat”, thotë Zeqiri. Sipas saj, ka mungesë bashkëpunimi mes kineastëve të Kosovës dhe Shqipërisë, e përsërit se në rastin e saj, kjo ka ndodhur për mungesë buxhetesh. Në projekt ka një film me metrazh të gjatë, për të cilin thotë se është duke punuar, por nuk zbulon më shumë.