Shkololli në Venecia
Erzen Shkololli, i cili është drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, do të bëjë edhe propozimin e kuratorit dhe artistëve të Pavijonit të Republikës së Kosovës si dhe do të bëjë menaxhimin e tërë projektit të përfaqësimit në këtë Bienale.
Shpenzimet për realizimin e ekspozitës së Republikës së Kosovës i merr përsipër Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Kjo është hera e parë që Republika e Kosovës prezantohet në këtë ekspozitë, që është ngjarja më e rëndësishme e artit në botë. Pjesëmarrja është konfirmuar ditë më parë, nga Paolo Baratta, drejtor i Bienales, përmes një letre dërguar ministrit Krasniqi.
Erzen Shkololli (1978) është një ndër fytyrat më eminente në skenën e re të artit në Kosovë. I afirmuar ndërkombëtarisht, ai është një mediator aktiv në dialogun ndërkulturor si mes Kosovës dhe botës njashtu edhe brenda artit kosovar. Shkololli është i kualifikuar për menaxhimin e projekteve artistike dhe kulturore, meqenëse përvoja e tij vjen drejtpërdrejt prej seminareve profesionale dhe rezidencave në fushën e menaxhmentit kulturor. Ai disponon me një rrjet të pasur me kontakte dhe qasje të drejtpërdrejtë në të gjithë spektrin e akterëve të kulturës, prej grupeve grass-root në Ballkan deri te referencat për institucione e organizata kulturore me influencë në tërë botën.
Ka qenë kurator i shumë ekspozitave ndërkombëtare të disa prej artistëve më të njohur bashkëkohorë të huaj dhe shqiptarë të kësaj kohe, përfshirë: “Reappearance” në Muzeun e Kosovës, Prishtinë (2004); “History started playing with my life”, prezantuar në DAL, Holon, Izrael (2007); “The World Won’t Listen”, në punëtorinë e artit Lazareti, Dubrovnik, (2007). Poashtu, Shkololli ka qenë drejtor artistik në galerinë EXIT në Pejë nga viti 2003 deri në 2006. Që nga viti 2003 ai është anëtar i Parlamentit Kulturor Evropian si dhe i ftuar i programit të DAAD-it në Berlin gjatë viteve 2008/09.
Si artist, Shkololli është prezantuar ndërkombëtarisht me ekspozita personale në Republikën Çeke (2005), në Lucca, Itali (2001), si dhe në shumë shfaqje dhe bienale, përfshirë këtu Interrupted Histories, në Muzeun e Artit Modern, në Lubjanë, 2006; Gorges of the Balcans në Kunsthalle Fridericianum, Kasel 2003; dhe më së fundi në New Video, New Europe, The Kitchen, në Nju Jork, 2006. Puna e tij është shfaqur gjithashtu në muze të rëndësishme nëpër Evropë, si në muzeu Stedelijk në Amsterdam dhe Tate Modern në Londër.