E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti i harruar

17 vjet pas luftës në Nagorni-Karabah, edhe më tutje me qindra mijëra azerbajxhanas presin kthimin e tyre, në territoret e okupuara nga Armenia. Nga Express më 28 qershor 2011 në ora 08:15

Duket se ushtria e Azerbajxhanit është ngujuar përgjithmonë këtu. Aty gjendet një kazermë e ushtrisë, rreth 200 metra larg pozicioneve të separatistëve armenë.
Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës, palët po bëjnë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje për konfliktin.

Presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë u takuan së fundi, me ndërmjetësimin e presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev. Por për zgjidhjen e konfliktit nevojiten bisedime të drejtpërdrejta, deklaroi Medvedev pas takimit.

Dhimbja për humbjen e atdheut është ende e madhe. “Nuk mund të harrojmë se çfarë na kanë bërë armenët. Si mund të jetojmë sërish me njerëzit, të cilët kanë vrarë të afërmit tonë?”, pyet Samir Alievi 23 vjeçar. Ai është një prej ushtarëve, që po shërben në vijën e parë të frontit.

Vetë Aliev ka lindur në territoret e pushtuara nga armenët. Në moshën pesëvjeçare, Samiri u arratis së bashku me familjen e tij nga Lahini.

“Nuk më kujtohet më arratia, por më kujtohet shtëpia jonë pranë xhamisë, më kujtohet natyra”, shton ai.

Në familjen e Alievit nuk flitet shpesh për jetën para 17 majit 1992, ditën kur familja humbi atdheun e vet.

Në vijën e frontit, të gjatë 120 kilometra, në vazhdimësi ka përleshje të armatosura, gjatë së cilave vriten ushtarët. Vetëm në vitin 2010 janë vrarë 30 ushtarë nga radhët e të dy palëve. Samir Alievin nuk e frikësojnë këto shifra, ai thotë se është nder që t’i shërbejë atdheut.

“Për çlirimin e atdheut tim do ta fljoja edhe jetën”, thotë ai me vendosmëri.

Nëse i hidhni një shikim kushteve të jetës, në të cilat jetojnë refugjatët, atëherë e kupton se prej nga vjen kjo vendosmëri. Pas luftës për Nagorni-Karabahun, me qindra mijëra njerëz u arratisën në Azerbajxhan. Fillimisht, ata kanë jetuar në tenda, vagonë të trenave dhe kontejnerë.

Por që nga koha kur Azerbajxhani filloi të eksportojë naftë dhe gaz, situata e refugjatëve filloi të përmirësohet.

Në rajonin Aghjabedi jetojnë rreth 100 mijë njerëz, 30 mijë prej tyre refugjatë nga territoret e pushtuara. Qendra e re, e ngritur këtu për refugjatët, quhet Lahin, sikur edhe qyteti në atdheun e vjetër. Kanë filluar të ndërtohen edhe qendra të reja, por një numër i madh i refugjatëve ende jeton në kushte të vështira.

Në kushte të tilla jeton edhe Asgar Bagitov me familjen e tij dhe atë që nga viti 1992.
“Kushtet tona të jetës në atdhe ishin shumë më të mira. Kishim ujë para shtëpisë, tani duhet të ecim disa kilometra, për t’u furnizuar me ujë”, thotë Bagitov. Ai thotë se falënderon qeverinë e Azerbajxhanit për ndihmën e ofruar, por malli i tij për atdhe nuk është shuar.

Por nuk e durojnë të gjithë refugjatët situatën me qëndrueshmërinë e Asgar Bagitovit. Anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Karabahut, me seli në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, janë ngopur me premtime të kota.

Në një zyre të vogël qëndron i ulur kryetari i kësaj organizate, Akif Nagi, e më të së bashku edhe disa bashkëpunëtorë të tij. Ata vijnë nga qyteti i shkatërruar, Agdam. Refugjatët flasin për fillimin e luftës, krimeve të kryera nga pushtuesit armenë dhe arratinë.

Negociatat mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilat filluan pas vendosjes së armëpushimit në vitin 1994, nuk kanë rezultuar me ndonjë zgjidhje konkrete dhe për këtë arsye, Akif Nagi kërkon një qasje më të ashpër:”Rruga e vetme është zgjidhja ushtarake”.
Por Nagi e di se kjo me gjasë nuk do të ndodhë. Bashkësia Ndërkombëtare që moti po tenton të parandalojë hyrjen e Azerbajxhanit në luftë.

Qyteti i lindjes së Nagit, Agdami me gjasë edhe më tutje do të mbetet qytet fantazmë, siç është aktualisht. Disa kilometra prapa qytetit gjendet vija ndarëse me Azerbajxhanin. Pamja është tmerruese: gërmadha në të gjitha anët.

Si një monument qëndron xhamia në këtë qytet. Qyteti ra më 23 korrik të vitit 1993, pas sulmeve të pandërprera të armenëve, ndërsa popullata vendase u arratis.

Në vitin 1994, organizata Human Rights Watch theksoi se Agdami është shkatërruar pa ndonjë arsye nga armenët.

Sassoun Bagdassarian, një armen i ri nga kryeqyteti i Nagorni-Karabahut, e formulon kështu situatën:”Në të vërtetë, status kuoja aktualisht është e mirë për të gjithë. Fillimisht situata duhet të qetësohet, ngase plagët janë ende të freskëta. Ndoshta pas 50 viteve Agdami mund t’i kthehet sërish azerbajxhanasve”. (Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›