E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konflikti në Lindjen e Mesme, protestuesit i vënë flakën kontejnerëve të mbeturinave pranë shtëpisë së Netanyahut

Protestuesit në Jeruzalem i vunë flakën kontejnerëve të mbeturinave vetëm pak metra larg rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Në atë që protestuesit e quajtën “dita e trazirave”, ata bënë thirrje për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës.

Nga flakët e zjarrit u dëmtuan disa makina dhe banorët e zonës u evakuuan nga ndërtesat, edhe pse nuk pati të lënduar. Protestuesit, në një deklaratë për mediat, u shprehën se bisedimet për lirimin e pengjeve kanë qenë një “dështim total”, duke akuzuar qeverinë se “kapitulloi përballë së djathtës ekstreme”.

Në Jeruzalem, disa protestues u mblodhën gjithashtu para shtëpisë së ministrit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, duke e akuzuar atë se nuk ka arritur të sigurojë kthimin e asnjë pengu që prej se mori rolin e kryenegociatorit të Izraelit.

Në krye të protestës ishin dy prej prindërve të pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi në tetor të vitit 2023. Sipas planit të protestës, në mesditë ata pritet të marshojnë drejt Kneset-it, parlamentit izraelit.

Ndërkohë që Jeruzalemi është përfshirë nga protestat, misioni i flotiljes me ndihma humanitare po përballet me pengesa: pesë nga 30 anijet e udhëtimit u detyruan të kthehen në portin e Barcelonës për shkak të kushteve të pafavorshme të detit.

Situata në Gaza vijon të jetë tejet e rëndë. Si pasojë e mungesës së ushqimit, është rritur ndjeshëm numri i viktimave.

Ndërkohë, Papa Leone XIV pritet të presë sot në Vatikan presidentin izraelit Isaac Herzog, ku pritet që t’i kërkojë ndalimin e ndëshkimit kolektiv ndaj popullsisë civile në Gaza.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›