Konflikti për truallin "prek" rezidencat qeveritare në Vlorë
Konflikti i nisur ditë më parë te zonat ku ndodhen rezidencat qeveritare në Ujë të Ftohtë në Vlorë, është thelluar ditën e sotme. Pronarë që pretendojnë të kenë dokumentacione mbi truallin që është zonë e rrethuar dhe shndërruar zonë ushtarake, janë konfliktuar sot me ushtarë të gardës si dhe punonjës që shërbejnë brenda zonës së vilave. Nga ana e këtyre të fundit nuk është pranuar të kryhet asnjë ndërhyrje, për një ndërtim që pretendohet të kryhet në këtë zonë. Ata nuk kanë lejuar asnjë veprim, por kanë këmbëngulur të kenë gjithë dokumentacionet e nevojshme. Debatet janë përshkallëzuar deri sa palët janë shtyrë me njëri -tjetrin, ndërkohë që në zonë kanë ardhur edhe efektivë të grupit të gatshëm. Siç mësohet sipas autoriteteve të vilave rezidenciale në Vlorë, pritet ardhja e disa përfaqësuesve nga ministria, ç’ka synon negocimin, apo zgjidhjen përfundimtare te konfliktit.