Ligji për imunitetin, Leskaj: Sjemi shprehur kundër
Tiranë- “Partia Socialiste është për reforma që kanë lidhje me sistemin dhe nuk jemi për arnime sistematike, siç është rasti i fundit i tre ligjeve që janë në proces të propozuar nga mazhoranca”. Kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.
Sipas saj, ligji që ka të bëjë me prokurorinë, me shërbimin e kontrollit të brendshëm apo me administratën e gjyqësorit më së shumti janë ligje që nuk sjellin asnjë përmirësim përsa i përket efektivitetit dhe pavarësisë së këtyre institucioneve, përkundrazi janë propozime të cilat shkojnë kundër qëllimit të mirë që duhet të dy palët bashkë për të përmirësuar efiçencën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura.
“Natyrisht, përsa i përket çështjes së imunitetit që është përmendur dje nga kolegu i grupit të PD unë dua të them se ne si grup parlamentar i PS-së nuk jemi shprehur asnjëherë kundër, përkundrazi kemi dhënë edhe opsionet tona. Çështja e imunitetit duhet të jetë e lidhur edhe me forcimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura në rradhë të parë të prokurorisë dhe pavarësisë së gjyqësorit dhe larg tendencës për t’i uzurpuar ato”- tha ajo.
Ajo ka kërkuar që kolegët e PD-së, t'i adresoheshin edhe çështjeve të tjera që ka ngritur në prononcimin e vet ambasadori i SHBA, çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin, me tragjedinë e Gërdecit, që sipas saj janë ende të paprekura. Ajo ka kujtuar edhe çështje që kanë të bëjnë me trafikun e qenieve njerëzore, që sipas deklaratës vendi ka një kthim mbrapa apo me çështje të tjera që lidhen funksionimin e demokracisë në Shqipëri, si liria e mediave, korrupsioni etj.
Përsa i përket ligjit të prokurorisë, Leskaj ka përsëritur deklaratën e bërë më parë. Grupi socialist, ka theksuar ajo nuk do të votojë asnjë ligj të prokurorisë, që nuk është në standarde.