Bashkia rikonstrukton shkollën Lidhja e Prizrenit
Tiranë- Fëmijët që banojnë në rrugën e Barrikadave, (Njësia bashkiake nr.9), do të fillojnë procesin mësimor në një shkollë tërësisht të rikonstruktuar. Ky vit i ri akademik do ti gjejë nxënësit e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në auditorë të rinj, laboratorë,palestër, bibliotekë dhe mjedise rekreative, për më shumë mundësi e kushte të favorshme për zhvillimin e procesit mësimor-edukativ.
Vlera për rehabilitimin e plotë të objektit është 628 453 euro, falë një kredie të financuar nga Banka e Këshillit të Europës (CEB).
Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, i pranishëm në përfundimin e punimeve, i uroi mirëseardhjen stafit pedagogjik e nxënësve që pas pak ditësh do të fillojnë vitin e ri shkollor.
“Jam shumë i lumtur të konstatoj se të gjitha këto struktura të reja që janë ngritur në bashkëpunim me komunitetin e mësuesve, me drejtorët e shkollave edhe me arkitektë e inxhinierë të talentuar të kryeqytetit, plotësojnë të gjitha standartet për të cilat prindërit çojnë fëmijët në shkolla dhe plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme për të edukuar brezin e ardhshëm të kryeqytetasve europianë”- tha Rama, duke shtuar se ky proces transformimi rrënjësor i infrastrukturës parauniversitare, është një proces që garanton një të ardhme shumë të sigurtë për kryeqytetin, për shoqërinë kryeqytetase dhe një rrezatim të plotë në të ardhmen të kësaj dijeje dhe të këtij edukimi që mund të jepet në këto mjedise, në të mirë të vendit, në të mirë të njerëzve, në të mirë të të gjitha familjeve shqiptare që i kanë sytë tek fëmijët dhe nuk kursejnë asgjë për fëmijët.
Në projektin e rikonstruksionit të shkollës janë respektuar të gjithë parametrat bashkëkohorë, duke e shndërruar atë në një godinë 4 katëshe, me një kapacitet prej 760 nxënësish. Po ashtu, është shtuar numri i klasave që arrijnë në 24, pesë laboratorë me sipërfaqe 200 m2, si dhe ambientet për administratën (69m2)
Nxënësit e kësaj shkolle do të ushtrohen këtë vit të ri shkollor në një palestër krejtësisht të re me një sipërfaqe 237 m2, mungesa e së cilës kufizonte veçanërisht organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive.
Projekti i shkollës “Lidhja e Prizrenit” është realizuar gjithashtu në funksion të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Shkolla është pajisur me rampa në hyrje të saj, në palestër si dhe në nyjet sanitare të katitpërdhes. Uji i pijshëm 24 orë,instalimi i sistemit të ngrohjes, sinjalizimet kundra zjarrit, janë kushtet e nevojshme që plotësojnë standartet e një shkolle bashkëkohore.
Ashtu sikurse të gjitha shkollat e përfshira dhe planifikuar në buxhetin për projektin “Ndërtimi dhe Rehabilitimi i shkollave të Tiranës” edhe “Lidhja e Prizrenit” ështëpajisur me mobilim krejtësisht të ri, (tryeza, karrike, katedra për mësuesit, rafte per bibliotekë, kabinete dhe laboratore).