E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongoli prezanton romanin e fundit në Selanik

Fatos Kongoli do të rrëfejë të dielën në stendën e shtëpisë botuese ALDE, historinë e romanit të tij të fundit "Jetë në kuti shkrepësesh". I sapobotuar në gjuhën greke, ky roman do të prezantohet të dielën më 1 qershor në Panairin Ndërkombëtar të Librit që prej dy ditësh po mbahet në qytetin e Selanikut.

Ky është romani i tretë i Kongolit në gjuhën greke. Më parë janë botuar në këtë gjuhë romanet "Endrra e Demokleut" nga shtëpia botuese "Kedros" dhe "Kufoma" nga shtëpia botuese "Kastaniotis". Ndërsa romani i katërt i këtij autori dhe një nga romanet e tij më të njohur "Lëkura e qenit" është në proces botimi nga shtëpia botuese "Patakis".

Përveç Kongolit, Shqipëria prezantohet në këtë panair dhe me shtëpinë botuese "Toena", e cila është botuesja në shqip e librave të Kongolit. Sipas një njoftimi të kësaj shtëpie botuese, librat shqip kanë ngjallur interes nga vizitorët e shumtë shqiptarë në emigracion. "Në mënyrë të veçantë botimet me temë nga historia, botimet për fëmijë dhe letërsia artistike, kryesisht romanet nga autorët më të njohur. Nga autorët më të kërkuar janë Fatos Kongoli, romani i Ben Blushit "Të jetosh në ishull", Diana Çuli etj", thuhet në njoftimin e "Toenës".

Ky është viti i pestë që ky eveniment i madh i librit zhvillohet në Selanik. Panairi është hapur më 29 maj dhe do të qëndrojë deri më 2 qershor. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Qendra Kombëtare e Librit Grek, Shoqata e Botuesve dhe Librave të Greqisë së Veriut dhe HELEXPO (Qendra e Organizimit të Panaireve për Greqinë e Veriut). Pretendimi i organizatorëve për ta kthyer panairin ndërkombëtar të librit në Selanik si pikëtakimin më të rëndësishëm të librit për gjithë Evropën Juglindore duket se po bëhet realitet, sepse në këtë edicion, që shkrihet në një sipërfaqe prej 12.000 m2, marrin pjesë botues nga më se

50 vende të ndryshme të botës. E ftuara e veçantë e këtij edicioni është Franca, e cila paraqitet me një stendë përfaqësuese madhështore.

Mbi 150 veprimtari me librin janë planifikuar të organizohen gjatë ditëve të Panairit. Pjesa më e madhe janë takime me

shkrimtarët e ftuar dhe përurimet e librave të rinj, por edhe

diskutimet e debatet për pozitën e librit në kohën e sotme, mundësitë e bashkëpunimit rajonal etj. Një prej veprimtarive më të rëndësishme do të jetë tryeza e rrumbullakët me organizatorët dhe përfaqësuesit e çmimit "Ballkanika" (romani më i mirë i Ballkanit), ku veç botuesve që përfaqësojnë vendet respektive të Ballkanit do të marrin pjesë edhe shkrimtarët fitues të këtij çmimi në vite, si Vladislav Bajac (Serbi), Fatos Kongoli (Shqipëri), Alek Popov (Bullgari), Pavlina Lazarevska

(Maqedoni), Can Oz (Turqi), Vasile Andru (Rumani) etj.

Komisioni organizator i çmimit "Ballkanika" do të diskutojë edhe për mundësinë e zgjerimit të këtij çmimi në të gjitha shtetet ballkanike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›