Liberalët norvegjezë nxisin Cekën: Mbështetu te fshatarët
Përfaqësues të VENSTRES, Partia Social-Liberale e Norvegjisë, gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të degës së Aleancës Demokratike në Gjirokastër, kanë shprehur mbështetjen e tyre politike për programin e aleancistëve shqiptarë dhe kanë rekomanduar eksperiencën e tyre dhe një strategji politike për të siguruar një sukses politik në zgjedhjet e 2009-ës për aleatët e tyre liberaldemokratë shqiptarë. Partia Social-Liberale e Norvegjisë, është një parti parlamentare e themeluar 125 vjet më parë, përfaqësohet aktualisht nga një grup prej 10 deputetësh, e cila sipas zonjës Astrid Megard Sollid, një nga drejtueset e kësaj partie në qytetin Streincer, për nga programi dhe platforma liberale ka ngjashmëri me programin e liberaldemokratëve të Cekës në Shqipëri dhe pikërisht për këtë fakt ata kanë vendosur lidhje partneriteti me këtë parti shqiptare. Gjatë takimeve dhe seminareve të organizuara ditët e fundit në Gjirokastër, social-liberalet norvegjeze kanë sqaruar militantët aleancistë shqiptarë arsyet pse Norvegjia nuk është bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Për norvegjezët, politikat ekonomike të BE shkaktojnë shpopullimin e fshatrave dhe zhvendosjen e popullsisë nga zonat rurale në drejtim të zonave urbane dhe kjo politikë bie ndesh me objektivat strategjikë të këtij vendi nordik. "Nuk kemi pranuar të hyjmë në strukturat e BE për shkak se norvegjezët e duan fshatin dhe nuk duam që për shkak të adaptimit të politikave komunitare të zhduket fshati norvegjez që është një pasuri kombëtare për vendin tonë. Për të ruajtur fshatin dhe prodhimin bujqësor, shteti norvegjez financon projekte për subvencionimin e këtij prodhimi bujqësor", thotë Turid Eian një nga veprimtaret politike të VENSTRES, Partisë Social-Liberale të Norvegjisë.