E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kongresi i PS, Krifca: Buxheti për bujqësinë 3.7 miliardë lekë!

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në panelin e organizuar në kuadër të Kongresit të PS-së, me temë “Bujqësia dhe Siguria Ushqimore”, foli për rëndësinë që ka ky sektor, vëmendjen e shtuar nga qeveria dhe mbështetjen financiare për fermerët.

Krifca tha se “bujqësia shqiptare po prodhon dhe punon shumë dhe ky manifestim sot është dëshmi e kësaj pune”.

“Fermerëve dhe peshkatarëve u jemi gjendur pranë në mbështetje të drejtpërdrejtë me buxhetin më të madh të vënë në dispozicion ndonjëherë në bujqësi. Jemi me 3.7 miliardë lekë. Nuk janë dhënë kurrë në vit nga buxheti i shtetit në 30 vite demokraci kaq mbështetje për bujqësinë”, tha ajo.

Po ashtu, Krifca shtoi se “qeveria po shpërndan 12 milionë litra naftë, ose 4 herë më shumë sesa një vit më parë, tek gati 50 mijë fermerë”.

“Çdo fermer do të përfitojë deri në 400 mijë lekë për hektar, kultivim në sera. Kultivuesit e bimëve aromatike do të përfitojnë deri në 60 mijë lekë për hektar për çdo kultivim”, u shpreh ministrja.

Krifca u ndal te nevoja për të nxitur të rinjtë për studime në shkencat bujqësore.

Po ashtu, ajo e cilësoi nevojë kombëtare, hapjen e tregjeve për peshkimin nga ujërat e ëmbla.

Një tjetër temë e diskutuar në këtë panel, sipas Krifcës, është orientimi i tregjeve drejt  bashkëpunimit dhe kooperimit, ndaj dhe sipas saj, “qeveria po incentivon financiarisht ata fermerë që bashkëpunojnë”.

“Ne kemi nevojë të lexojmë nevojat e konsumatorit, çfarë do ai dhe të zgjedhim kultivarët e duhur autoktonë. Në kuadër të sigurisë ushqimore patjetër që kemi detyra për të bërë”, tha ajo.

Krifca shtoi se “që prej vitit 2018 përmes aksesimit të fondeve të BE-së, fermerët shqiptarë si asnjë vend tjetër kanë të drejtë të fitojnë fonde nga taksapaguesit europianë”.

Në momentin që ne hapim negociatat do të kemi mundësinë të aksesojmë fonde shumë më të mëdha, dhe kjo do të sjellë zhvillimin e bujqësisë”, tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›