E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Xhaçka: Kosovës po i bëhet padrejtësi me vizat

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, tha sot nga Kongresi i PS-së se Kosovës po i bëhet një padrejtësi e madhe nga BE, duke mos ia liberalizuar vizat.

Xhaçka u shpreh se Shqipëria ka prioritet kryesor Kosovën në politikën e saj të jashtme. Ajo theksoi se çështjen e liberalizimit të vizave do ta trajtojë në Këshillin e Sigurimit.

Ndërkohë, Xhaçka u ka kthyer përgjigje dhe kritikëve të nismës së “Ballkanit të Hapur”, që sipas saj, nuk e zbeh rolin e Kosovës në rajon.

“Është një çështje që e ngremë në çdo takim bilateral, duke lobuar për njohje e për mbështetje për njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Është një çështje që e ngremë me forcë e pa u lodhur me BE dhe vendet anëtare, duke denoncuar me forcë padrejtësinë që i bëhet Kosovës duke e izoluar në mes të Europës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Është një çështje që e kemi prioritet të punës tonë në Këshillin e Sigurimit ku po punojmë pa u lodhur jo vetëm për sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK në Këshill, por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende, si për shembull në Afrikë, ku procesi i njohjeve nuk ka ecur mbarë e ku ende duhet shumë punë.

E them këtë, sepse e di, e besoj të gjithë e dimë e mund ta bisedojmë hapur si miq, që puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën ‘Ballkani i Hapur’, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën.

E vërteta padyshim s’është kjo, sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim që sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët.

Ana tjetër, është dimensioni strategjik i kësaj nisme e cila në fakt, ashtu si Procesi i Berlinit, ngrihet mbi filozofinë që zgjidhja e problemeve që ka ende sot rajoni, kalon nga bashkëpunimi e integrimi. Kjo padyshim nuk do të thotë që të harrohet e shkuara. Kjo do të thotë që të shohim nga e ardhmja për ta kërkuar aty adresimin e problemeve të së shkuarës. Një e ardhme që mund ta ndërtojmë së bashku duke replikuar një eksperiencë të suksesshme që ne e dimë, atë të Bashkimit Evropian. Por si mund të replikohet kjo eksperiencë në rajonin tonë pa përfshirë në të shqiptarët e serbët, që janë dy popujt më të mëdhenj që përcaktojnë prej shekujsh historinë e rajonit? A nisi Bashkimi Evropian me Gjermaninë e Francën, armiq shekullorë me luftëra me miliona viktima, apo me Irlandën dhe Greqinë?”, tha Xhaçka. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›