E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi i PS po mblidhet për Kultin e Individit “Rama” dhe jo për respektimin e mendimit ndryshe

20-10-2011 / Nga Ilir Nikolla

Edi Rama ka njoftuar se do shpallet para kohe si kandidat për kryeministër, edhe pse statuti ia njeh këtë të drejtë, nëse do vijojë të jetë kryetar partie deri më 2013-n. Rreziqet brenda partisë si dhe presionet e ndërkombëtarëve, e kanë detyruar Ramën ta shndërrojë kongresin në fushatë spastrimi dhe në një tribunë për ngritjen e Kultit të Kryetarit të Përjetshëm


Paniku i Edi Ramës tani nuk shfaqet veç tek informacionet jozyrtare të gazetave, por edhe tek idetë e marra, që me sa duket ai po u imponon besnikëve të tij në PS. Blendi Klosi dje thuajse ka zyrtarizuar dëshirën e kryetarit të partisë, që ai të formalizohet qysh tani si kandidati i opozitës së majtë për kryeministër në zgjedhjet e 2013-s. Pyetjet e thjeshta që lindin janë: “ç’urgjencë ka Edi Rama, përderisa bisedat formale me aleatët s’kanë nisur për Kodin Zgjedhor, lëre më një koalicion paraelektoral? Pse duhet rikonfirmuar kandidatura e Ramës, kur unifikimi i kryeministrit me kryetarin e partisë fituese është i sanksionuar në statutin e partisë?”. Blendi Klosi e ka thënë këtë i detyruar, pasi kongresi i nëntorit s’po del një kafshatë aq e kapërdishme sa ishte në fillim. Ben Blushi gati sa s’rrëzoi gjithë linjën politike të lidershipit, kur e bëri Edi Ramën përgjegjës për 4 vrasjet, me mungesën e tij në shesh me 21 janar. Mbrojtja naive, siç shpërndajnë edvinistët në rrjetet sociale, se deklarata të tilla ndoshta do ta donin Edi Ramën viktimë në shesh, s’e fshehin dot faktin se Blushi po tenton të riformalizohet si alternativë në prag të kongresit. Po të llogarisim edhe disidencën permanente të Islamit e Harasanit në media, turin alternativist të Arben Malajt si dhe lëvizjet në prapaskenë të Fatos Nanos, merret vesh se kongresi i nëntorit rrezikon të kthehet në një kurth të rrezikshëm për Edi Ramën. Atëherë, më mirë për t’i dalë përpara rrezikut, duke nisur qysh tashti përpunimin e kultit të individit. Edi Rama është i vetmi kandidat për kryeministër që ekziston tek e majta, proklamon Blendi Klosi, dhe për rikonfirmimin e kësaj përzgjedhjeje, do të kërkojmë votën në kongres. Pra, qysh tani, socialistët vendosin edhe për aleatët e vjetër, edhe për aleatët e rinj, edhe për flukset e tjera politike që mund t’i bashkohen opozitës. Të gjitha këto do të jenë nënfisha të Edi Ramës, që ka nisur të punojë për kultin e tij të individit në parti. Le ta marrin vesh edhe alternativistët e rinj, edhe Fatos Nano, edhe Paskal Milo, bile edhe Kreshnik Spahiu e Bamir Topi, se Edi Rama do të vetëkandidohet për kryeministër në kongresin e PS-së, paçka se s’guxon të kërkojë votëbesimin për postin e kryetarit të partisë. Nga paniku, tashmë merret vesh se s’ka më guxim e kohë për një rilegjitimim partiak të kursit të tij të bojkotit, as për një llogaridhënie për katastrofat elektorale të 2009-s e 2011-s. Kongresi është thirrur veç për ngritjen e kultit të individit të pinjollit të Bllokut, që tashmë s’ka më frikë edhe ta rivendikojë këtë trashëgimi politike. Nëse s’e fusim dot në statusin e partisë, se kurdo që PS-ja të vijë në pushtet, kryeministër duhet të jetë se s’bën Edi Rama, paraprakisht ai po i paraprin kësaj dëshire me “kërkesën nga baza” të Blendi Klosit dhe “delegatëve” të Durrësit që qenia e Edi Ramës kandidat për kryeministër është parakusht, që s’negociohet as me mendimtarët ndryshe brenda partisë, as me aleatët e as me ndërkombëtarët. PS-ja tashmë është “tokë e zënë” prej nipit të Spiro Kolekës dhe nëse rregullat e deritanishme e pengojnë këtë hipotekë...s’ka gjë...e zgjidhim me një fushatë për legalizimin e kandidaturës e gjithashtu edhe për legalizimin e fushatës për kultin e individit në të majtën tonë ish-komuniste.  Propozimi i djeshëm i Blendi Klosit duhet lexuar si një tregues i panikut të Edi Ramës për të marrë vendime të afërta politike. Përgjegjësia për bllokimin e statusit, dalja e rivalëve brenda partisë, zbulimi i hilesë me Kodin që ai po u riluan aleatëve të tij, si dhe impotenca për ta ndihmuar deri në fund Bamir Topin në ambicien e tij politike, po e detyrojnë Ramën të shtojë dozën e represionit dhe të pastrojë territorin në vathën e vet politike, para se të formalizojë pazaret lart e poshtë, herë me ndonjë aleat, herë me presidentin e së fundmi edhe me mazhorancën.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›