Sannino: BE mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë – detyrë e politikës të plotësojë standardet

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto priti Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Europian z. Stefano Sanino.
Në këtë takim u diskutua për çështje të zgjerimit të Shqipërisë në BE, për domosdoshmërinë e zbatimit të 12 prioriteteve, veçanërisht pas publikimit të progres raportit të fundit nga Komisioni Europian. Gjithashtu u diskutua dhe për situatën politike në Shqipëri, por edhe për gjendjen në rajon.
Z. Haxhinasto siguroi zotin Sanino se progres raporti i BE për Shqipërinë, është kthyer në dokument të rëndësishëm pune për qeverinë për të avancuar me tej agjendën e saj, në rrugën e vendit drejt BE. Ndërsa zoti Sanino, duke përsëritur mbështetjen për përspektivën europiane të Shqipërisë, theksoi se tashmë kërkohet punë dhe bashkëpunim mes gjithë përfaqësuesve politike, që perspektiva evropiane e Shqipërisë të bëhet realitet.
Pas takimit, z. Haxhinasto dhe z. Sanino dhanë një konferencë për shtyp.
Edmond Haxhinasto
Kemi përfunduar takimin me z. Sanino, të cilin e kam falenderuar për kontributin e tij personal për ndjekjen me vëmendje të proceseve politike në Shqipëri dhe sidomos të atyre impakteve që sjellin një shpejtësi të re në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kam shprehur gjithashtu vlerësimin përsa i takon Raportit të Progresit të Shqipërisë, të publikuar para pak kohësh nga BE-ja, si një dokument shumë i rëndësishëm, si një plan pune për Shqipërinë, për të avancuar me agjendën e saj drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu kemi shkëmbyer mendime për hapa të reja të cilat duhet të ndërmerren për të konkretizuar atë vullnet politik të shprehur, që të konsiderojmë integrimin si prioritetin kryesor në vend dhe për të realizuar dymbëdhjetë prioritetet e vendosura përpara Shqipërisë nga BE-ja. Unë kam kënaqësinë që fjalën t’ja jap z. Sanino për këtë çështje.
Stefano Sanino
Dëshiroj të falënderoj z. Haxhinasto për këtë takim. Vizita ime e sotme në Tiranë është për të rikonfirmuar vullnetin dhe angazhimin e Bashkimit Evropian, për të mbështetur perspektivën evropiane të Shqipërisë. Tashmë kemi një raport progresi dhe ne dëshirojmë të sigurojmë konsolidimin e arritjeve të deritanishme dhe të gjejmë rrugët për të çuar përpara agjendën e përbashkët, për të krijuar të gjitha mundësitë që Shqipëria t’i afrohet më shumë perspektivës evropiane, që kjo perspektivë të shndërrohet në një shans konkret për qytetarët e këtij vendi. Ajo që është e rëndësishme për ne është që të krijojmë kushtet për të çuar përpara agjendën evropiane. Do të punojmë nga afër me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe shoqërinë civile në vend. Ne duhet të sigurojmë që perspektiva evropiane e Shqipërisë të bëhet realitet. Ne tashmë kemi një shembull shumë të mirë që është ai i liberalizimit të vizave dhe ne mendojmë se është në interesin e përbashkët të qytetarëve të këtij vendi që të afrohen më tepër me BE. Ne gjithashtu diskutuam me z. Haxhinasto për bashkëpunimin rajonal dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni. Dëshiroj të nënvizoj rolin tepër pozitive që po luan Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon, i cili është një element tepër i vlerësuar nga Bashkimi Evropian.
Shqipëria ka një rol të rëndësishëm, përsa i përket stabilitetit në rajon, por që në fakt mbeti në klasë përsa i përket marrjes së statusit kandidat. Si duhet ta përkthejnë qytetarët shqiptar këtë?
Siç edhe thashë, agjenda evropiane është një detyrë komplekse e përbërë nga shumë elementë. Kontributi në stabilitetin rajonal është një nga këto elemente. Kështu që fakti Shqipëria është një kontribues i tillë, konsiderohet si element pozitiv, i cili duhet të merret në konsideratë në përcaktimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Po përsa i përket refuzimit të statusit?
Unë mendoj se ne duhet t’i shikojmë zhvillimet në perspektivën e zhvillimeve të kaluara. Viti që lamë ka qenë kompleks nga shumë këndvështrime, por megjithatë janë shënuar disa arritje. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë mbi këto elemente, ashtu si edhe mbi propozimet e ardhura nga grupet e ndryshme, pra vendi të gjejë gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar për këto elemente, në mënyrë që Shqipëria të afrohet më tej me Bashkimin Evropian.