Strasburgu: Zgjedhjet i plotësuan standardet, të nisë dialogu politik

Kongresi i Autoritetit Rajonal dhe Lokal në Këshillin e Europës miraton rezolutën për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një test i fituar, megjithëse kandidimi i Edi Ramës në kryeqytet cënoi mbarëvajtjen e tyre, duke shmangur vëmendjen nga problemet e komunitetit dhe duke e politizuar padrejtësisht procesin
Asambleja Parlamentare e KiE ka miratuar dje rezolutën për Shqipërinë, ku i kërkon partive politike të nisin urgjentisht dialogun dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për arritjen e standardeve për zgjedhje më të mira. Rezoluta u miratua gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal në Këshillin e Europës ku u diskutua për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe rekomandimet për zgjedhje më të mira.
Raporti për zgjedhjet në Shqipëri, i hartuar nga raportuesi i Partisë Popullore, Volkram Gebel, ishte pika e parë e rendit të ditës së seancës së djeshme.
Diskutimi u drejtua nga shefi i delegacionit të Komitetit të Krahinave, socialisti Uno Aldegren dhe përfaqësues të tjerë të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Raporti u ndal te vlerësimi i zgjedhjeve lokale, te zgjedhjet në Tiranë dhe situata politike në vend. Në këtë raport thuhet se zgjedhjet lokale të 8 majit ishin shumë të rëndësishme dhe ato u zhvilluan në mënyrë demokratike. Raportuesi për zgjedhjet vendore në Shqipëri, Volkram Gebel, duke paraqitur raportin e tij para Kongresit, ka vlerësuar bashkëpunimet me institucionet shqiptare, duke i konsideruar ato të jashtëzakonshme.
“Këto zgjedhje ishin shumë të rëndësishme, ato ishin zgjedhje demokratike. Kemi parë progres nga autoritet shqiptare për transparencën e zgjedhjeve. Raporti ynë i konsideron zgjedhjet shumë të mira dhe transparente. Organizimi ishte shumë i mirë dhe transparent”, u shpreh zyrtari i lartë i Këshillit të Evropës.
Volkram Gebel tha se zyrtarët që u trajnuan në ditën e zgjedhjeve ishin të përfshirë në këtë proces për të pasur zgjedhje sa më transparente. Më tej, ai shtoi se vëzhgimi i zgjedhjeve u krye normalisht.
“Momenti i numërimit të votave solli mjaft tensione. Dy polet partiake sollën interpretimet e tyre. Në Shqipëri kishte një polarizim politik. Opozita vraponte të thoshte rezultatin para se gjithçka të ishte zyrtare”, theksoi Gebel.
Ai tha se tashmë kemi bërë të ditur rezolutën për zgjedhjet në Shqipëri.
“Në këtë rezolutë ne kemi parë se fushata zgjedhore duhej të rezervohej në situata lokale dhe në lidhje të forta me kandidatët”.
Gebel tha se Kongresi ka sjellë në vëmendje në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri se situata ka qenë e qetë. Raporteri i Popullorëve Evropianë, vuri në dukje se këto zgjedhje e njohën Shqipërinë si një vend kandidat në BE.
“Në propozojmë të ketë një forcim të marrëdhënieve mes partive politike, për të pasur veprime të hormonizuara mes palëve. Bashkëpunimi mes KE-së dhe pushtetit qendror në Shqipëri ishe me të vërtetë i frytshëm”, theksoi ai.
Raporteri i KiE, Gebel shtoi se Kongresi del në konkluzionin se në Shqipëri është bërë një punë e madhe për zgjedhjet.
“Rezoluta vëren se në Shqipëri është bërë një progres i madh për këto zgjedhje të lira. Rekomandimi përfundimtar është që partitë të vendosin një dialog konstruktiv dhe të bashkëpunojnë për të përmirësuar procesin zgjedhor në të ardhmen. Procesi i numërimit ishte një mundësi për të treguar sesi qëndron në fakt konfrontimi politik në Shqipëri. Rekomandimi duhet që të shkojë tek autoritetet shqiptare, për t’i dhënë një mundësi politikës shqiptare, për të kuptuar se çfarë kërkon Komisioni Evropian për zgjedhjet në Shqipëri”, deklaroi Gebel.
Kongresi i KiE rekomandon bashkëpunim për zgjedhje më të mira. Për këtë çështje raportuesi Volkram Gebel vuri në dukje se forcat politike duhet të nisin bashkëpunimin, në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve më të mira në të ardhmen.
Raporti mbi zgjedhjet e 8 majit, u miratua me 86 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Ai duhet të shërbejë si një rekomandim për Shqipërinë për sa u përket zgjedhjeve të ardhshme. Pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, KiE i bëri thirrje liderëve të partive politike shqiptare të tregojnë maturi në ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë për integrimin në familjen evropiane. Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për një dialog konstruktiv dhe bashkëpunim mes partive politike në vend në mënyrë që në Shqipëri të punohet për përmirësimin e procesit zgjedhor në të ardhmen.
Pikat e rezolutës së Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE
1. I bën thirrje autoriteteve lokale dhe rajonale shqiptare të promovojnë kushtet për një dialog me të mirë politik mes tyre, me qëllimin për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive, çka përbën dhe komponentin kryesor të qeverisjes së mirë.
2. Konfirmon gatishmërinë e tij për të kontribuar si një forum politik që të ngrejë dhe implementojë një plan veprimi post zgjedhor të Këshillit të Europës.
3. Vendos të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin me zyrën e OSBE-se dhe ODIHR-it në kuadër të një plani gjithëpërfshirës dhe të harmonizuar.
4. I kërkon Komitetit Monitorues të konsiderojë rezultatet e misionit vëzhgues në përgatitjen e raportit monitorues të demokracisë lokale dhe rajonale në Shqipëri, të planifikuar për vitin e ardhshëm.