“Kongresi i PS-së, ‘Kurban-Kongres’”

Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli ka reaguar në lidhje me Kongresin e Partisë Socialiste, i cili zhvilloi punimet dy ditë më parë. E pyetur nga mediat, Topalli duke e paralizuar edhe me librin më të fundit që kreu i PS-së Edi Rama pret që të nxjerrë së shpejti, e ka cilësuar Kongresin e opozitës si “Kurban Kongres”. “Kongresi i Partisë Socialiste ishte thjesht një Kurban Kongres”, u shpreh Topalli. Këto deklarata kryeparlamentarja Topalli i bëri pas vizitës së kryer në selinë e komunitetit mysliman në Tiranë. Topalli ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin. Kjo është një festë e bukur ashtu si edhe dita e sotme dhe bazohet tek sakrifica dhe qëndrimi ndaj sakrificës na bën që ta shohim me optimizëm të ardhmen”, tha ajo. Kongresi i Partisë Socialiste mbylli punimet mbrëmjen e së shtunës, ndërkohë ka shtyrë për sot numërimin e votave për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Më tej, do të jetë Asambleja e re, e cila do të zgjedhë kryesinë dhe sekretarët që do të jenë stafi më i afërt i kryetarit, Edi Rama. Partia Demokratike e cilësoi të shtunën Kongresin e partisë Socialiste “trill dhe terapi grupi”. “Ne ndoqëm premierën e një “reality show” krejtësisht të ri për Shqipërinë dhe Shqiptarët, ‘Terapi Grupi’. Në të, lideri i opozitës është një i ftuar, i cili flet gjatë për të gjitha dështimet që e përndjekin, në praninë e delegatëve të tij të klonuar, duke shpresuar se artikulimi i dështimeve do ta ndihmojë t’i harrojë. Duke pasur shumë dështime për të cilat të flasë, Rama mund edhe të ketë vendosur një rekord të ri botëror, duke lënë mbrapa edhe vetë Fidel Kastron apo Hugo Chavez. Natyrisht, në përfundim të çdo episodi të këtij ‘reality show’, realiteti, i cili është tejet i zymtë për të ftuarin, zëvendësohet nga elemente të kuptueshëm vetëm prej tij. Në këtë trill, rilindja e socializmit të etërve të tij nënkupton rilindjen e Shqipërisë”, u shpreh përmes një deklarate për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
...