Luftë dhe grushte mes pagatorëve të kongresit
“Drama e hapur” e Kongresit me dyer të mbyllura: “Delegatëve” u ishte premtuar vendi në Asamble!
Në fjalimin e tij, para ‘delegatëve’ të zgjedhur përmes një procesi mizor 3 javë më parë, Edi Rama u shpreh për një epokë të re demokratizimi të Partisë Socialiste. Kaq mjaftoi që në sallë të plaste sherri mes klaneve që u ndeshën rastësisht si ‘delegatë’ me synim kush e kush të kooptohet në listën e anëtarëve të Asamblesë. Përplasja e klaneve erdhi pas propozimeve të padiskutuara të sekretarit organizativ, Blendi Klosi i cili edhe u akuzua nga ‘delegatët’ se lista e kandidatëve për Asamblenë është e trukuar. Jo më kot, mungesa e qartësisë dhe kërkesa e drejtë e ‘delegatëve’, pasi secilit prej tyre i ishte premtuar vendi në asamble, kjo në sajë të taksë-pagesës që në zgjedhjen e delegatëve, në atë proces që i shëmbëllente maskaradës së klientelizmit të PS-së. Në seancën me dyer të mbyllura të Kongresit nuk kanë munguar debatet mes delegatëve dhe drejtuesve të kongresit, por po ashtu s’kanë munguar as sharjet, kërcënimet dhe grushtet mes delegatëve. Në fund të seancës, në momentin kur lexohej lista me kandidatët për në Asamblenë Kombëtare, deputeti i qarkut të Beratit, Erjon Braçe, mësohet t’i ketë kërkuar Blendi Klosit (Sekretarit Organizativ të PS) se pse janë hequr qëllimisht nga lista e propozimeve dy emra, të cilët ishin propozuar nga deputetët e Beratit. “Kështu jo. Merrni parasysh propozimet e bëra nga delegatët. Delegatët e Beratit kanë propozuar dy emra, Shkëlqim Briskun dhe Isuf Bazen. Asnjë prej tyre nuk është në listën e kandidatëve për në Asamble”, iu drejtua Braçe sekretarit Organizativ, Blendi Klosi, i cili lexonte listën. Kjo kërkesë e Braçes ka nxitur dhe delegatë të tjerë në kongres, të cilët nuk kanë gjetur propozimet e veta në këtë listë. Klosi, nga ana e tij, e ka sqaruar Braçen se ishte përfaqësia e kongresit ajo që kishte vendosur një rregull për të mos lejuar dy persona nga i njëjti forum apo institucion partiak apo administrativ. “Të bëj një sqarim. Kanë ardhur disa emra nga Berati dhe janë përfshirë në listë. Për një nga zotërinjtë që ju thoni patëm dhe një diskutim sot në përfaqësi, është sekretari i kryetarit të rrethit. Kemi ndjekur një normë që besoj se duhet të jetë normë për të gjithë e që nuk duhet të ketë diskutime në këtë pikë; nëse kemi në Asamble drejtpërsëdrejti kryetarin e PS së rrethit, nuk mund të fusim dhe sekretarin e tij. Nëse kemi kryetarin e bashkisë në kandidim apo drejtpërsëdrejti në listë, nuk mund të futet nënkryetari. Ajo që na kërkohet është që skema e përfaqësimit të jetë sa më e gjerë”, u shpreh Klosi. I pakënaqur nga kjo përgjigje, Braçe, në një replikë në distancë me Klosin, u shpreh se po përdhosen propozimet e bëra nga delegatët, të cilëve më parë nuk u ishte sqaruar se cilat ishin momentet e skualifikimit. Kërkesa e Braçes bëri që të ngrihen ankesa dhe nga delegatë të Elbasanit. Një delegate nga ky qytet e quajti të pavend mungesën në listën e kandidateve femra të kryetares së PS-së në bashkinë Elbasan, Luljeta Arapit. Ka qenë ndërhyrja e deputetëve Namik Dokle dhe Valentina Leskaj që ka bërë futjen e saj në listën e kandidatëve. Një delegat nga Tropoja ka kërkuar përfaqësim të Tropojës në listën për në Asamble. Por, në morinë e kërkesave të njëpasnjëshme të delegatëve, situata është tensionuar nga reagimi banditesk i Gramoz Ruçit dhe fodullëkut të Edi Ramës, i cili bënte sikur s’kishte ndodhur asgjë. Problemi është i qartë dhe alarmant është fakti se si Kongresi i partisë së dytë më të rëndësishme në vend, të kthehet në një gangrenë sharjesh, ofendimesh dhe kërcënimesh nga më të ndryshmet, për një vend në listën e anëtarëve të ardhshëm të Asamblesë Kombëtare. Por, po aq i thjeshtë sa është problemi, aq është edhe shkaku i tij. Delegatëve iu është premtua vendi në Asamble, që ditën e zgjedhjes së tyre 3 javë më parë. Kjo ngre hije dyshimi dhe automatikisht bën përgjegjës vetë Edi Ramën, për pazare në mandatimin e delegatëve në Kongres, në këmbim të taksës së famshme, e cila gjen vend në PS në çdo palë zgjedhje, edhe ato për strukturat dhe forumet e Partisë! Kjo është drama që vihet në skenë në sy të qindra e mijëra socialistëve shqiptarë.
Pazaret me asamblenë, PS shtyn numërimin e votave
Partia Socialiste njoftoi dje se rezultati i votimit të delegatëve për Asamblenë e re, s’do publikohet gjatë ditës së dielë, pasi për shkak të festës së Bajramit, numërimi i votave është shtyrë për ditën e hënë. Paradoks në dukje si dhe një temë që hap mjaft diskutime, mbi administrimin e votave 15000 delegatëve socialistë. “Për shkak të festës së Kurban Bajramit u përcaktua që numërimi i votave të kryhet gjatë ditës së hënë, duke formësuar kështu listën me 121 anëtarët e zgjedhur për Asamblenë”, thuhej në njoftimin për shtyp të Partisë Socialiste. Delegatët nga i gjithë vendi votuan një listë me 186 kandidatë për të zgjedhur 121 prej tyre, ku 80 do të jenë burra dhe 41 gra. Në pikëpyetje është nëse PS përmbush kështu kuotën e 30 për qind të përfaqësimit të grave njësoj siç parashikon Kodi Zgjedhor por edhe statuti i PS-së, pavarësisht se ky i fundit s’është respektuar ndonjëherë dhe as që mund të merret me mend. Asamblesë kombëtare i rikthehet ish ministri i akuzuar për korrupsion, Anastas Angjeli, ish kreu i PS-së së Tiranës Musa Ulqini, dhe ish-ministri i Energjetikës Viktor Doda. Në total, Asambleja e re kombëtare do të ketë 250 anëtarë, por një kategori e tyre si deputetë, krerët e PS-së në rrethe, ish president hyjnë automatikisht. Kjo asamble pritet që në ditët në vijim të zgjedhë edhe kryesinë e re të PS-së dhe sekretariatin. Një tjetër proces ky do do thellojë edhe më tej, ndasitë mes socialistëve, pas disa deputetë kritikë të Ramës, aktualisht janë pjesë e kryesisë dhe sekretariatit, por që s’dihet nëse do marrin votëbesimin e asmblesë që pritet të dalë nga Kongresi i delegatëve të manipuluar.
...