E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi, përplasje për vendet në këshill dhe kryesinë e PD-së

26/10/2009  Grupet rivale brenda partisë do të mundohen të imponojnë emrat e përkrahësve

Kongresi i 12 dhjetori në Partinë Demokratike veç analizës së zgjedhjeve, veç zgjedhjes së kryetarit duket se do të sjellë dhe një ristrukturim të organeve drejtuese, siç janë Këshilli Kombëtar, i cili më pas voton kryesinë e PD-së. Burime nga PD-ja thanë dje për “Metropol” se zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe zhvillimet politike gjatë mandatit të parë duket se kanë sjellë nevojën për ndryshime në strukturat e larta drejtuese. Kjo jo vetëm për faktin se disa prej atyre që bëjnë pjesë në Këshillin Kombëtar pas mospërfshirjes në listat e deputetëve janë shfaqur inaktivë në jetën politike të partisë, por ka dhe nga ata që kanë shfaqur kundërshti ose që janë njohur si përkrahës të Presidentit.

Këshilli dhe Kryesia

Por zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar duket se do të risjellë dhe një herë në skenë grupet rivale brenda PD-së për sa i takon influencës që ata duan të kenë në instancat drejtuese të partisë. E natyrisht kjo duhet filluar që nga Këshilli Kombëtar, pasi ky është organizmi që më pas zgjedh kryesinë e PD-së. Këtu veç zëvendësimeve që mund t’u bëhen shumë emrave aktualë, në këtë strukturë do të hyjnë dhe deputetë të rinj ose anëtarë të tjerë, të cilët, në rast se do kërkojnë karrierë më shumë, detyrimisht duhet të jenë anëtarë të PD-së. Megjithëse në vështrim të parë ajo çka bie në sy është se vendimi i kryetarit nuk para kundërshtohet në strukturat drejtuese, sërish kryesia ka një peshë jo të vogël vendimmarrëse, sidomos kur vijnë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, ku anëtarët e kryesisë kanë një peshë jo të vogël në përzgjedhjen e kandidatëve dhe hartimin e listave. Janë ata që përçojnë propozimet e tyre në vesh të kreut të partisë, i cili më pas merr vendim për t’i pasur në konsideratë ose jo si kandidatura. Kjo vendimmarrje bëhet sidomos më e rëndësishme kur vijnë zgjedhjet lokale, ku secili prej anëtarëve të kryesisë kërkon të përfshijë në lista emrat e atyre që e kanë përkrahur gjatë fushatës elektorale në zonën ku ai ka kandiduar.

Analiza

Por periudha e kongresit duket se do të përfshijë dhe një çështje që deri tani është preferuar të kalohet në heshtje nga shumë anëtarë të partisë. Bëhet fjalë për rezultatet e dobëta që kanë arritur strukturat, por dhe ata që kanë qenë në krye të listave në qarqet e tyre. Vlora, Fieri, Shkodra dhe Lezha do të jenë pjesë e analizës brenda PD-së për të gjetur shkaqet se pse nuk u arrit rezultati i parashikuar në këto qarqe. Për shembull, në rastin e Vlorës do të shtrohet në diskutim se pse u arrit i njëjti rezultat votimi si në vitin 1997.

Bashkëpunimi me LSI-në

Kongresi do testojë qëndrimin e bazës

Një tjetër çështje që do diskutohet para kongresit, por edhe gjatë ditëve që ai do të zhvillojë punimet, është dhe testimi i bazës pas marrëveshjes që Berisha ka bërë me Metën për përfshirjen në qeveri. Kjo jo më shumë për arsye ideologjike sesa për faktin se shumë anëtarë të PD-së, të punësuar më parë në institucionet që ka marrë LSI-ja si dhe në drejtoritë e linjës, kanë dalë të papunë për shkak të zëvendësimit nga anëtarët e partisë së Metës. Në ditët pas zgjedhjeve puna nuk priste që të mblidheshin forumet për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, por dhe lindja e ndonjë debati të mundshëm në forumet e larta të partisë e detyroi kryeministrin ta bënte fakt të kryer. Duke qenë se kongresi është forumi që i mbledh të gjithë anëtarët e PD-së, të cilët në shumicë janë dhe drejtues institucionesh, nuk do të mungojnë porositë që prioritet për punësim në institucione të kenë pikërisht ata që kanë dalë të papunë pas bashkimit me LSI-në. Natyrisht, në këtë vazhdë burime brenda PD-së shprehen se kryeministri, njëkohësisht dhe kryetar i PD-së, i ka dhënë porosi të vazhdueshme aleatit të tij të ri, por nga ana tjetër është dhe koshient se kostoja politike që ka marrë kjo parti e majtë duke bërë koalicion me të djathtën duhet rikuperuar pikërisht me përfshirjen nëpër poste të anëtarëve të LSI-së.

Një pikë shumë e rëndësishme e porosive që mund të jepen në kongres, natyrisht jo publikisht, është dhe ajo e lëvizjes së stafit sa herë që ndërrohen drejtuesit brenda mazhorancës, gjë e cila në jo pak raste ka sjellë pakënaqësi në bazën e partisë.

Kryesia

Sali Berisha - kryetar, Kryeministër

Ridvan Bode - sekretar i përgjithshëm, ministër i Financave

Astrit Patozi - nënkryetar, kryetar i grupit parlamentar

Jozefina Topalli - nënkryetare, Kryetare e Kuvendit

Ilir Rusmali - anëtar, kryetar i Komisionit të Ligjeve

Sokol Olldashi - anëtar, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunicionit

Fatos Beja - anëtar, ministër e Arsimit

Genc Ruli - anëtar, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Edi Paloka - anëtar, deputet

Bujar Nishani - anëtar, Ministër i Brendshëm

Leonard Demi - anëtar, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Edmond Spaho - anëtar, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave

Mimoza Hasekiu - anëtare

Liri Dibra - anëtare

Margarita Qirko - anëtare

Marieta Zaçe (Pronjari) - anëtare, zv.ministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Aldo Bumçi - anëtar, deputet

Lulëzim Basha - anëtar, ministër i Punëve të Jashtme

Majlinda Bregu - anëtare, ministre e Integrimit

Maksim Cikuli - anëtar

Aleksandër Biberaj - anëtar, deputet

Halit Shamata - anëtar, zv.ministër i Arsimit dhe Shkencës

Sekretariati

Ridvan Bode - sekretar i përgjithshëm

Astrit Patozi - nënkryetar

Jozefina Topalli - nënkryetare

Ilir Rusmali - sekretar për Çështjet Ligjore

Ferdinand Poni - sekretar për Pushtetin Lokal

Besnik Mustafaj - sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë

Ilir Bano - sekretar i Burimeve Njerëzore

Flamur Noka - sekretar organizativ

Gent Strazimiri - sekretar për partneritet

Edmond Spaho - sekretar për ekonominë

Partia Demokratike nis përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2011

Profesorati i angazhuar për programin

Demokratët i kushtojnë vëmendje të veçantë programit për Bashkinë e Tiranës

Ergys GJENÇAJ

Partia Demokratike ka nisur përgatitjen për zgjedhjet lokale të vitit 2011. Mësohet se në selinë blu po zhvillohen mbledhje të ndryshme, të cilat kanë për qëllim përgatitjen e një programi politik konkret, me të cilën do të dalin para elektoratit kandidatët demokratë. Sipas burimeve, vëmendje më e madhe po u kushtohet bashkive kryesore në vend, sidomos Bashkisë së Tiranës. Për përgatitjen e këtij programi PD-ja ka angazhuar profesoratin e saj. Kështu, figurat kryesore që vijnë nga jeta akademike, profesorë të ndryshëm që militojnë në PD, por edhe ata që njihen si të djathtë dhe simpatizantë në kësaj force politike, po japin kontributin e tyre për përpilimin e këtij programi. Burimet bëjnë të ditur se në mbledhjet e para janë hedhur piketat e këtij programi politiko-elektoral për zgjedhjet lokale, që do të zhvillohen pas dy vjetësh. Demokratët e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme këtë përballje elektorale. Edhe pse në dukje ka ende kohë për të mbërritur në këto zgjedhje, PD-ja i konsideron si ballafaqimin më deciziv për të parë se cila është mbështetja që ajo ka në popull. Bashkia e Tiranës, e cila prej vitit 2000 drejtohet nga Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste që prej vjeshtës së vitit 2005, për PD-në është pika kulmore. Demokratët po përpiqen që në këtë program politiko-elektoral të përfshijnë të gjitha shqetësimet e qytetarëve tiranas. Mësohet se pikat kryesore të këtij programi do të kenë lidhje pikërisht me gjendjen e kryeqytetit, pikërisht me ato që sipas demokratëve duhen ndryshuar patjetër në Tiranë. PD-ja duket e vetëdijshme për sfidën e madhe të zgjedhjeve të 2011-s, prandaj ka nisur të rekrutojë personalitete dhe figura të njohura për qytetarët e të gjithë vendit e në veçanti për banorët e Tiranës. Ende nuk ka nisur puna për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të bashkive më të rëndësishme. Aktualisht vëmendje po i kushtohet përgatitjes së programit politik. Përpiluesit e këtij programi, ekspertë të fushave të ndryshme, sipas burimeve kanë vendosur piketat mbi të cilat do të ndërtohet ky program, që do t’i përcillet elektoratit të kryeqytetit. Kështu, mjedisi, ekonomia, politikat e strehimit, përmirësimi i transportit publik, pastrimi dhe krijimi i zonave të gjelbërua janë disa ndër prioritet e këtij programi.

Në fushatën për zgjedhjet lokale PD-ja, përveç mbështetjes që do të ketë nga aleatët e saj tradicionalë të spektrit të djathtë, do të bashkëpunojë edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila është pjesë e koalicionit të qeverisjes qendrore. Në marrëveshjen e nënshkruar nga krerët e dy partive, Sali Berisha dhe Ilir Meta, theksohet se PD-ja dhe LSI-ja do të bashkëpunojnë dhe do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2011.

Piketohen fushat më të ndjeshme në Tiranë

Programi politiko-elektoral i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës do të përqendrohet në problemet më të mprehta të qytetit. Sipas burimeve, ekspertë të fushave të ndryshme kanë vendosur piketat mbi të cilat do të ndërtohet ky program, që do t’i përcillet elektoratit të kryeqytetit. Kështu, mjedisi përbën një ndër prioritetet e këtij programi. Gjithashtu ekonomia dhe mbështetja që do t’u japë Bashkia e Tiranës sipërmarrjeve qytetase për fuqizimin e saj, do të jetë shtyllë kryesore e programit. Politikat e strehimit, të cilat sipas demokratëve nuk janë të zhvilluara nga drejtuesit aktualë të Bashkisë, janë pikë tjetër e këtij programi. Shërbimet sociale dhe ndihma ndaj shtresave në nevojë mendohet se do të përbëjnë një pikë kyçe të programit të PD-së për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Tiranës. Demokratët do t’u kushtojnë vëmendje edhe taksave dhe tarifave vendore që u vilen qytetarëve. Gjithashtu përmirësimi dhe fuqizimi i transportit publik do të jetë në vëmendjen e përpiluesve të programit politik-elektoral. Duke marrë në konsideratë ndryshimet e mëdha në kryeqytet edhe për pasojë të ndërtimeve të shumta, në programin e PD-së vend i rëndësishëm do t’i kushtohet pastrimit të qytetit dhe krijimit të zonave të gjelbërua.

Oponenca aktuale në Këshillin Bashkiak

Në mbledhjet e zhvilluara në selinë blu theksi është vënë edhe në rolin që duhet të luajë grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike. Pas zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007 PD-ja nuk arriti të merrte shumicën Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Mësohet se është kërkuar që grupi i këshilltarëve të PD-së duhet të kenë një rol shumë më të fuqishëm gjatë mbledhjeve të Këshillit. Është vlerësuar se këshilltarët demokratë, në opozitë, duhet të kenë një frymë më kundërshtuese gjatë diskutimeve që zhvillohen. Kështu, është pranuar se fryma e oponencës duhet të jetë e një niveli më të lartë kur diskutohen çështje të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e kryeqytetit. Mësohet se është kërkuar që këshilltarët e PD-së në Këshill duhet të shfaqen më aktiv gjatë debateve të ndryshme dhe nuk duhet të mbeten thjesht në rolin e një kundërshtari politik. Këshilltarët demokratë duhet të shfaqin oponencën konkrete dhe t’i kërkojnë më shumë llogari kreut të Bashkisë Edi Rama. Ndër të tjera theksi duhet të vihet edhe në planin urbanistik të kryeqytetit, mungesa e të cilit, sipas demokratëve, ka bërë të mundur zhvillimin kaotik të qytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›