E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme

23/10/2009  Partia Demokristiane deklaron se ka prova për vjedhjen e votave në Shkodër

PDK padi në Prokurori për komisionerët e PD-së

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka deklaruar se forcës politike që drejton i është vjedhur një mandat për deputet në Qarkun e Shkodrës dhe autorë është Partia Demokratike përmes komisionerëve të saj. Kryedemokristiani ka theksuar dje se ka në dispozicion prova të pakundërshtueshme, të cilat faktojnë pretendimet e tij për manipulime të procesit zgjedhor në Shkodër, të cilat i ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas tij, pamjet filmike të krahasuara me procesverbalet zyrtare të tërhequra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për disa KZAZ zbulojnë faktet e manipulimeve. “Ajo që ne provojmë me prova është maja e ajsbergut, por ajo që ne dimë është shumë më tepër se kaq”, - tha ai. Sipas Ndokës, nga rinumërimi i votave në Qarkun e Shkodrës duket qartazi se PD-ja përmes komisionerëve të saj i ka shtuar vetes vetëm në këtë qark 11784 vota dhe koalicionit “Poli i Lirisë” i janë vjedhur 5873 vota, ku më e dëmtuara është PDK-ja. Duke parashtruar këto fakte, kreu i PDK-së ka kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha. Ndoka tha se menjëherë pas dorëheqjes së kreut të qeverisë duhet të formohet një qeverie teknike, në të cilën të përfshihen të gjitha partive me peshë në jetën politike, në mënyrë që të realizohen disa reforma të rëndësishme dhe jetike për vendin, si reforma në Kodin Zgjedhor, reforma në sistemin e drejtësisë dhe reformat e tjera për të plotësuar standardet për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Europian dhe së fundi garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira. Kryetari i PDK-së ka theksuar se duke marrë në konsideratë faktet tronditëse të manipulimit të zgjedhjeve, i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme të gjitha provat dhe materialet që disponon, duke ngritur një padi penale kundër komisionerëve të PD-së, që futën duart në kutitë e votimit, duke deformuar votën e lirë dhe vullnetin e votuesve shqiptarë. Ndoka bëri me dije se do të informojë për të gjitha parregullsitë e gjetura Presidentin e Republikës, ambasadat e vendeve të BE-së, SHBA-ve, OSBE–ODIHR-in, si dhe do të informojë grupimin politik të partive kristiandemokrate europiane dhe do të kërkojë nga ndërkombëtarët që të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv për kthimin e normalitetit të jetës politike në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›