Kongresistët amerikanë vlerësojnë progresin në Kosovë

Kongresistët amerikanë, Robert Aderholf, Bob McEwen dhe Trent Walters, vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen amerikane për fuqizimin e mëtejshëm të shtetësisë së Kosovës.Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, priti sot në takim kongresistët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ku morën pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit në Prishtinë. Hoxhaj, ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen që SHBA kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin dhe fuqizimin e gjithëmbarshëm të shtetësisë së Kosovës.
Hoxhaj dhe kongresistët diskutuan gjithashtu dhe për forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. Ata biseduan gjithashtu edhe për avancimin e proceseve integruese euroatlantike të Kosovës, si dhe për proceset e anëtarësimit të saj në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, raporton RTK.
Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Indeksonline/