Kongresmenët amerikanë letër Rubios: Rama e quajti antikushtetues arrestimin e Ballukut, Parlamenti nuk e lejoi! Akuzat nxitën protestat masive në Tiranë
Dy kongresmenë republikanë amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, i kanë dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehin shqetësimin për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri, duke kërkuar masa ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion.

Në letrën e cituar nga Fox News, ata ngrenë shqetësime për sundimin e ligjit në Shqipëri, duke vënë në fokus edhe çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas tyre, në dhjetor 2025, SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres, por Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese, ndërsa Parlamenti nuk lejoi vijimin e procedurës.
“Në dhjetor 2025, prokurorët i kërkuan Kuvendit heqjen e imunitetit të saj, me qëllim arrestimin. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese, ndërsa Kuvendi nuk ka lejuar vijimin e procedurës së arrestimit. Rama i mohon të gjitha akuzat për korrupsion ndaj tij”, thuhet në letër.
Kongresmenët theksojnë se sot qeveria Rama përballet me protesta në Tiranë, ku qytetarët dhe studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
“Pakënaqësia publike ka dalë në rrugë. Akuzat ndaj Ballukut ndihmuan në nxitjen e protestave masive në Tiranë në janar 2026, ku u kërkua dorëheqja e Ramës dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme”, thonë kongresmenët.
Letra e plotë:
I nderuar Sekretar Rubio,
Po ju drejtohemi për të shprehur shqetësimin tonë për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Shqipërisë, një aleate e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë investuar ndjeshëm në reformën në drejtësi në Shqipëri dhe kanë një interes të fortë që ajo të ketë sukses. Zhvillimet e fundit tregojnë se përparimi është i brishtë dhe se, në disa fusha kyçe, ekziston rreziku i kthimit pas. Ju bëjmë thirrje të përdorni kompetencat e Departamentit për kufizimin e vizave, në bazë të nenit 7031(c), ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.
Vlerësimet e pavarura japin sinjale të përziera. Freedom House e klasifikon Shqipërinë si vend “pjesërisht të lirë”, me 69 pikë nga 100 në vitin 2026. Vëzhguesit i cilësuan zgjedhjet parlamentare të majit 2025 si “konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale”. Megjithatë, Shqipëria mori vetëm 39 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të publikuar nga Transparency International. Ndërkohë, Instituti V-Dem, në Raportin e Demokracisë 2026, e klasifikon tashmë Shqipërinë si një autokraci elektorale.
Korrupsioni mbetet pengesa kryesore. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës, ka dëshmuar pavarësi reale. Komisioni Evropian ka vlerësuar punën e saj, duke vënë në dukje se institucionet e tjera kanë mbetur prapa. Zyrtarët kanë ushtruar gjithashtu presion ndaj SPAK-ut dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucionit që mbikëqyr gjyqtarët dhe prokurorët.
Hetimet e SPAK-ut tashmë kanë mbërritur në nivelet më të larta të qeverisë. Prokuroria ka marrë të pandehur Belinda Ballukun, e cila ka mbajtur detyrën e zëvendëskryeministres, për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e rrugëve. Në dhjetor 2025, prokurorët i kërkuan Kuvendit heqjen e imunitetit të saj, me qëllim arrestimin. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese, ndërsa Kuvendi nuk ka lejuar vijimin e procedurës së arrestimit. Rama i mohon të gjitha akuzat për korrupsion ndaj tij. SPAK-u po heton gjithashtu ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Vlora Hyseni, për dyshimet se ka keqpërdorur aksesin e saj në informacion për të ndihmuar një person të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Pakënaqësia publike ka dalë në rrugë. Akuzat ndaj Ballukut ndihmuan në nxitjen e protestave masive në Tiranë në janar 2026, ku u kërkua dorëheqja e Ramës dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Deri në verën e këtij viti, protestat kundër një resorti luksoz pranë një zone të mbrojtur natyrore u shndërruan në një lëvizje më të gjerë, të njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
Kriza ka ushtruar presion edhe mbi median. Peizazhi mediatik në Shqipëri karakterizohet nga përqendrimi i pronësisë, financimi jotransparent dhe pronarë me lidhje politike. Më 30 korrik 2026, dhjetë organizata për lirinë e shtypit paralajmëruan për pengesa, kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve që mbulonin protestat. Ato evidentuan 15 raste kërcënimesh dhe sulmesh vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik, si dhe ngritën shqetësime për përdorimin e autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve.
Institucionet kundër korrupsionit në Shqipëri nuk mund të kenë sukses nëse drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët që ato hetojnë. Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje të përdorni kompetencat e Departamentit sipas nenit 7031(c) të ligjit vjetor për ndarjet buxhetore për Departamentin e Shtetit, operacionet e jashtme dhe programet përkatëse.
Konkretisht, i kërkojmë Departamentit të shpallë publikisht si persona të padëshiruar për hyrje në Shtetet e Bashkuara zyrtarët shqiptarë dhe, kur është e përshtatshme, anëtarët e familjeve të tyre të afërta, për të cilët disponon informacion të besueshëm mbi përfshirjen në korrupsion të rëndësishëm.
Ky shqyrtim duhet të përfshijë zyrtarët ndaj të cilëve SPAK-u ka ngritur akuza, si dhe ata që kanë përdorur pozitat e tyre për të penguar hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Zbatimi i qëndrueshëm i këtij mekanizmi, pavarësisht përkatësisë partiake, do të ndihmonte përpjekjet e Departamentit për të luftuar kleptokracinë. Gjithashtu, do të tregonte se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të shqiptarëve që kërkojnë llogaridhënie.
Gjithashtu, ju kërkojmë t’u përgjigjeni pyetjeve të mëposhtme deri më 5 nëntor:
1. A do të angazhohet Departamenti për të shqyrtuar rastet e zyrtarëve shqiptarë për shpalljen e tyre si persona të padëshiruar, në bazë të nenit 7031(c), dhe brenda çfarë afati kohor? A do të shqyrtojë gjithashtu vendosjen e sanksioneve në kuadër të Aktit Global Magnitsky, kur provat e mbështesin një masë të tillë?
2. Çfarë asistence po i ofron Departamenti SPAK-ut, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe reformës më të gjerë në drejtësi në Shqipëri? Si do të mbrohen këto institucione nga presioni politik?
3. A e ka ngritur Departamenti me qeverinë shqiptare çështjen e mosveprimit të Kuvendit lidhur me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e zonjës Balluku? Cila ka qenë përgjigjja?
4. Si po bashkëpunon Ambasada Amerikane në Tiranë me autoritetet shqiptare për mënyrën e menaxhimit policor të protestave dhe sigurinë e gazetarëve? A i mbështet Departamenti hetimet e pavarura për incidentet e dokumentuara gjatë kësaj vere?
Kërkojmë gjithashtu një informim të posaçëm për stafin tonë lidhur me këto çështje.
Ju falënderojmë për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje. Presim me interes të bashkëpunojmë me ju për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë.
Me respekt,
Joe Wilson
Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve
Bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së
Keith Self
Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve
Kryetar i Nënkomisionit për Evropën

