“Kryeministri nuk duhet të shndërrohet në gogolin e popullit” – Gjekmarkaj: Protesta ka tronditur regjimin e Ramës! S’mund të bisedosh me një njeri që ka uzurpuar krejt pushtetin
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj theksoi se kryeministri Edi Rama duhet që të marrë në konsideratë kërkesën e studentëve, të cilët i kërkojnë dorëheqjen, duke shtuar se një kryeministër nuk duhet të shndërrohet në “gogolin” e popullit dhe të dëshpërojë qytetarët.

Në një intervistë për News24, ai theksoi se Rama, në këtë moment, ndodhet në marrëdhënien më të keqe me popullin. Ai i cilësoi këto protesta si më të rëndësishmet që nga dhjetori i vitit 1990, ndërsa retorikën që ka përdorur kryeministri e krahasoi me atë të përdorur nga regjimi komunist.
“Një kryeministër nuk duhet ta dëshpërojë popullin e vet, nuk duhet të shndërrohet në gogolin e popullit të tij. Rama në këtë moment është në marrëdhënien më të keqe që një lider politik dhe kryeministri krijon me shtetin dhe shoqërinë e vet. Këto protesta, pas dhjetorit 1990, janë më të rëndësishmet në historinë e Shqipërisë bashkëkohore, protesta emancipuese, shpresëdhënëse dhe e kanë shqetësuar, tronditur regjimin e Edi Ramës që qeveris prej 14 vitesh.
Janë akuzuar studentët për shumëçka. Ata po bëjnë përpjekje madhështore për të dhënë dinjitet jetës në këtë vend, por më shumë për t’i dhënë dinjitet të ardhmes, e cila është shumë e paqartë. Janë akuzuar këto ditë në terminologji që të kujton atë të viteve ’90, të regjimit komunist në ikje, jo duart e errëta, jo shërbimet e huaja. Dhuna e vërtetë është ajo që destrukturon njeriun, shoqërinë. Dhuna është kur ndryshohet Kushtetuta në tavolinë që të marrësh zgjedhjet, dhuna është të bësh korrupsion dhe skandale të panumërta. Dhunë është të bësh zgjedhjet farsë dhe të bësh të pamundur rotacionin. Çfarë rruge i mbetet rinisë? E vetmja rrugë protesta dhe revolta.”, tha Gjekmarkaj.
Duke e cilësuar gjuhën e Ramës si provokuese, ai theksoi se nuk mund të ketë bisedime me një njeri apo maxhorancë që ka uzurpuar 98 përqind të pushtetit në vend.