Kongresmeni Rohrabacher: Hetim burimit të parave që siguruan foton Obama-Rama
Kongresi amerikan ka kërkuar me anë të një letre Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-te të hetojnë burimin e pagesë së fotove të kryesocialistit Edi Rama dhe presidenti Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar. Kongresmeni nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u ka kërkuar autoriteteve amerikane të hetojnë burimin e parave, pasi “nëse fondet kanë ardhur nga një vend i huaj, kjo mund të përbëjë shkelje të ligjeve amerikane’, thotë ligjvënësi amerikan. Siç raporton Zëri i Amerikës, në një letër dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara te Amerikës, Erik Holder dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Rohrabacher, tërheq vëmendjen për blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për te marre pjese në aktivitetin e Presidentit Obama për grumbullim fondesh në San Francisco më 12 tetor 2012. Biletat, shkruan kongresmeni, u blenë nga Bilal Shehu, shofer limuzine dhe gruaja e tij, e cila nuk mori pjesë në aktivitet. Por në vend të saj, bileta u përdor nga udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. Shtetas të huaj si zoti Rama, shkruan më tej ligjvënësi në letrën drejtuar autoriteteve amerikane, e kanë të ndaluar të kontribuojnë në fushatat zgjedhore amerikane. Dana Rohrabacher është kryetar i nënkomisionit për Evropën dhe Euroazinë në Komisionin e Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve te Kongresit Amerikan.