E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama fsheh planet për rritjen e taksave, nga ana tjetër ai vetë nuk paguan taksa

18-06-2013 / Gazeta 55

PD kërkon transparencën e të ardhurave dhe programin fiskal të kreut të opozitës

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kreun e opozitës Edi Rama se fsheh planet për rritjen e taksave, ndërsa vetë ai nuk paguan taksa. Në një deklaratë për media zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi shprehet se Rama ka refuzuar të paguaj taksat për miliona lekë të ardhura nga libri i tij Kurban. “Kanë kaluar 10 ditë dhe Edi Rama ende fsheh të vërtetën nga qytetarët për taksat e tij të papaguara.  Raportet e lajmeve konfirmuan përsëri para dy ditësh se Edi Rama ka refuzuar të paguaj taksat për miliona lekë të ardhura nga libri i tij Kurban. Dhe këto janë të vetmet të ardhura për të cilat ne jemi në dijeni. Por Rama ende nuk i përgjigjet as pyetjeve më të thjeshta për taksat e tij, ose të japë ndonjë provë nëse i ka paguar ato”, deklaroi zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi. Sipas saj, Edi Rama thotë se i ka deklaruar të ardhurat nëpërmjet postës. “Atëherë, përse nuk jep prova duke bërë publike ndonjë faturë nga zyra postare? Përse publikuesit e librit të Ramës thonë që ai nuk i ka paguar taksat? Dhe përse Edi Rama nuk publikon as edhe një provë të vetme që tregon se ai i ka paguar të gjitha taksat  Nuk mjafton fakti se Edi Rama po fsheh të vërtetën nga qytetarët për taksat e tij; ai tashmë po fsheh edhe të vërtetën mbi planet e tij për rritjen e taksave të qytetarëve”, theksoi ajo. Në fund të deklaratës së saj, zëdhënësja Laura Vorpsi nënvizoi se, Edi Rama tha para dy ditësh se ai nuk i ka rritur asnjëherë taksat. Por në fakt, gjatë kohës që ai ishte Kryebashkiak i Tiranës, Rama i dyfishoi taksat. “Dhe për ta vërtetuar këtë, mos na besoni ne por thjesht pyesni pronarët e restoranteve të cilët panë t’u rritej taksa për tavolinë me 400%.  Pyesni pronarët e bizneseve të cilët panë t’u rritej taksa e tabelave të reklamimit të biznesit të tyre me 50%.  Pyesni familjet të cilët panë t’u rritej taksa e pastrimit me 5000%!”, përfundoi ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›