E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rice: E ardhmja e Kosovës do të jetë e shkëlqyer

Presidenti i Kosovës z. Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi, zhvilluan dje një takim me Sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, takim i cili i paraprin takimit të tyre me presidentin Bush ditën e hënë.

Sekretarja Rice e cilësoi “historike” vizitën e parë të udhëheqësve të shtetit të Kosovës dhe përsëriti angazhimin amerikan për Kosovën. “Kosova ka popull të vendosur, miq të vendosur dhe qeveri të vendosur”, - tha shefja e diplomacisë amerikane pas takimit me krerët e shtetit të Kosovës në Uashington.

Rice shprehu besimin në angazhimin e institucioneve të Kosovës për ndërtimin e një demokracie shumetnike dhe respektimin e pakicave.

Duke komentuar kundërshtimin e disa vendeve ndaj pavarësisë së Kosovës, shefja e diplomacisë amerikane përsëriti se Kosovën tashmë e njohin mbi 40 shtete dhe shtoi se “e ardhmja e Kosovës do të jetë e shkëlqyer, pasi ka popull të vendosur, miq të vendosur dhe qeveri të vendosur”.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës i shprehën mirënjohjen e tyre Sekretares amerikane të Shtetit për angazhimin dhe mbështetjen e SHBA për Kosovën.

Presidenti Sejdiu pas takimit, para mediave, tha se “do të ndërtojmë një Kosovë që do të jetë atdhe i të gjithëve”.

Kryeministri Thaçi nënvizoi se “Kosova e pavarur është vend i paqes dhe progresit”. Krerët e shtetit të Kosovës nënvizuan përparimin e shënuar në këto muaj të para të pavarësisë.

Rice duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve foli dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova dhe Serbia do jenë pjesë e shtëpisë evropiane dhe do bëjnë reformat e nevojshme për të qenë pjesë e së ardhmes së Evropës”, - tha Rice.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, në mbyllje të konferencës për shtyp tha se “udhëheqja e Kosovës është e zonja të demonstrojë të ardhmen evropiane të vendit”.

Të hënën, më 21 korrik, presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës do të takohen në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA, George Bush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›