E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni i njohur amerikan, z. Eliot Engel garantoi për vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re Obama me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare

Dje pasdite, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Kongresmenin amerikan, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i New York-ut, z. Eliot Engel, një nga mbrojtësit më të shquar të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.

Në fillim të takimit, Kryeministri Berisha e njohu Kongresmenin Engel me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur tek arritjet e reformave qeveritare si dhe çështjet e anëtarësimit në NATO dhe BE.  Z. Berisha, ndër të tjera, theksoi sukseset në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një nga hapat që garantuan përshpejtimin e proceseve integruese dhe që e nxorën Shqipërinë nga harta e nxirë e këtyre fenomeneve. Kryeministri Berisha u ndal gjithashtu edhe në reformimin e thellë që pësoi administrata shqiptare në aspektin e elektronizimit të prokurimeve publike, regjistrimit elektronik të subjekteve tregtare, etj..

Duke u ndalur tek zgjedhjet parlamentare, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të gjerë të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Ai e njohu Kongresmenin Engel me hapat e bërë për sigurimin e një regjistri elektronik të popullsisë, shtypjen e kartave të reja të identitetit e pasaportave biometrike, etj., elementë që garantojnë votime të ndershme.

Nga ana e tij, Kongresmeni Eliot Engel vlerësoi shumë arritjet e qeverisë Berisha në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe BE. Ai falënderoi gjithashtu Kryeministrin Sali Berisha për partneritetin e shkëlqyer me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit. Në përfundim, Kongresmeni Engel e garantoi Kryeministrin Berisha për vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re Obama me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare.


04/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›