Konica sipas Arshi Pipës

Si autor që ka bërë studime të thella e të veçanta në fushë të mendimit kritik, shquhet me origjinalitetin e tij në mendim e metodë të kërkimit. Kujtojmë këtu trajtimin e personaliteteve dhe dukurive letrare që shqyrton, nëpërmjet një dijeje që zgjerohet nga tipi i mendimit strukturalist e krahasues e deri në aplikimin e koncepteve e metodave të intuicionit, mbështetur në filozofinë metafizike të Bergsonit e të Kroçes, të cilët i kishte cilësuar si filozofë subjektiv.
Në vitin 1944, në një moshë shumë të re, por i provuar e i kualifikuar në dije të thella filozofike, nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim origjinal, si asnjë kritik tjetër shqiptar i kohës së vet . Kujtojmë mënyrën si u u qaset autorëve, në kërkimet e tij për Nolin, Konicën, Migjenin, që janë shenjë e fuqishme kulturore në historinë e mendimit të kritikës letrare në gjuhën shqipe.
Eseja për Konicën është njëra prej më interesanteve, nga mënyra se si nxjerr profilin e figurën e këtij autori. Pipa operon me gjuhën e eseut, në formën e refleksionit për autorin, ndërsa që gjuha e tij nxjerr pjesën më të gjallë për autorin nëpërmjet një sensibiliteti gjuhësor që vë në funksion trajta e përftesa retorike të elocutio-s. Duke qenë më afër artit sesa shkencës, kritika e tij për Konicën, mbështetet në një reflektim filozofik subjektiv, duke u prirë nga idetë e Bergsonit, magjia e të cilit, sipas Pipës, nuk qe te e vërteta që ai e shprehte, por te mjeshtria për të përkëdhelur shpresat e iluzionet e përjetshme njerëzore me një arsyetim të rrëshqitshëm.
Pra, në praktikën kritike, edhe Pipa, kur flet për Konicën, përvetëson koncepte të ngjashme, duke iu qasur tekstit me subjektivizëm. Arsyetimi i tij formal gjendet tek konceptimi i tij për ekzistencën e dy lloj kritikash; kritikës shkencore ose filozofike, e cila është esencialisht logjikë dhe kritikës letrare, që logjikën e ka veçse trajtë të paraqitjes ndërsa bazohet te intuita e cila është esencialisht poetike.
Mes tyre Pipa praktikisht zgjedhë atë që e quan kritikë letrare. I qaset objektit me adhurim, dhe fuqi diskursive duke e vënë në pah vlerësimin dhe duke mos i lënë pa shfaqur gjykimet e tij. Mbështetur mbi këto parime ai, në tekstin për Faik Konicën, përmes diskursit eseistik reflekton për jetën, kulturën, personalitetin e karakterin e Konicës dhe nisur nga to, zbaton teorinë e tij intuitive duke dhënë gjykime gjenerale edhe për vetë veprën e Koncës.
Pa e kuptuar personalitetin e shkrimtarit, nuk mund të kuptohet vepra e tij, thekson Pipa, duke e konsideruar personalitetin e krijuesit si çelës të të zbërthyerit të artit të tij – të tekstit të tij. Ai fillimisht huazon elemente të psikanalizës për të lexuar tiparet vizuele fizike të Konicës, ndërsa prej përshkrimit dhe analizimit të portretit fizik del te rreshtimi i karakteristikave të tij shpirtërore. Më tej përmend kulturën e madhe shkencore, ndjesinë artistike, magjinë e bisedimit etj., si rezultat i të cilave e sheh mllefin e Konicës ndaj gjithë atyre që nuk ia njihnin epërsinë. Kështu në hulumtim të karakterit njerëzor, Arshi Pipa percepton figurën psikologjike të Konicës: emotivitetin, duke përfshirë ndijimet, perceptimet, përfytyrimet e mendimet për të e të tij (pra të Konicës). Ndërsa, në portretizim të figurës morale të Konicës, Pipa u referohet tezave empiriste, siç janë: arsimimi i autorit, mjedisi ku ka jetuar, vullneti i tij etj.
Nisur nga zbërthimi i tipareve të fytyrës së Konicës, prej syve, tek të cilët gjen shfaqjen e burimit të inteligjencës, e tek buzët (kujtojmë përqendrimin për të nxënë shenjat e të folutit), kur thotë se sheh të reflektuar atë ironinë e thellë koniciane, Pipa vijon të ruajë me konsistencë parimin e intuicionit. Postulati i Bergsonit se “e vetmja mënyrë njohurie për t’i hyrë në thelb realitetit psikik ose jetik ishte intuita”, mund të jetë njëri prej koncepteve udhëzuese që aplikohet fundamentalisht te Pipa.
Duke e shikuar kritikën letrare si kritikë estetike e njëherit edhe kritikë historike, pasiqë po sipas tij, duhet të kuptohet mentaliteti i artistit, ambienti, pengesat e jashtme e të brendshme, që ai i kapërceu për të shkrirë landën në formën poetike, Pipa e koncepton artin si një prodhim të kohës, prandaj janë edhe insistimet e tij se nuk mund të kuptohet kurrë një vepër arti po nuk e kuptuam më parë vetë artistin.
Në shkrimin e Pipës jepen më tej pikëpamjet nacionale të Konicës, karakteri atdhetar e sui generis i tij, siç është ndjesia e refuzimit por edhe e mendimit jokonvencional deri në habi. Kur flet për Konicën atdhetar, Pipa thotë: “Ishte nji shpirt i çuditshëm ky Faiku, privilegjet e atij i u-dukshin të natyrshme! U a kishte zili të tjerëve mallin për Shqipni! T’ishte e mundun, do të donte t’i shërbente asaj aj vetëm, si nji grueje të dashun!”.
Konica nuk cilësohet prej Pipës si shkrimtar i profesionit, por “shijues”, ndërsa si shkaktar gjen “shpirtin e tij përtac” dhe strukturën e tij etike që sipas Pipës ishte e tillë sa nuk mund të prodhonte vepra të plota. Si vlera etike të cilat ushqejnë poezinë, Pipa konsideron, familjen, traditën, humanitetin, fenë, ndërsa që te Konica të tillat nuk i sheh fort të konsoliduara, kur thotë: “Ndër idealet etike qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij”. Në raport me artin, Konica, sipas tij, nuk e zhvilloi këtë lloj marrëdhënieje.
Letërsinë, krijimtarinë, Pipa e ka konsideruar si mënyrë jetese. Ai është insistues se poeti duhet t’i besojë Artit, duke ia dhuruar jetën kultit të tij, në mënyrë që të fitojë humanitet; nga një luks të shndërrohet në një nevojë dhe nga një punë qejfi të bëhet vlerë etike. Sipas logjikës së këtyre gjeneralizimeve, Pipa akuzon Konicën se nuk ia flijoi jetën e vet poezisw por se bwri twë kundërtën: ia flijoi jetës poezinë e vet, për të arritur deri te përfundimi esencial i kritikës së tij eseistike-historike për Konicën se “Arti ishte i vetmi shkamb ku do të mund të ngulej. Aj nuk e mori seriozisht, nuk u-pengue mbas tij. E bani “me shaka”, kur i u-tek. T’i kishte besue artit do të kishte qenë Heine i letërsis sonë.”.
Po ashtu edhe në raport me kritikën Konica nuk vlerësohet aq. Me keqardhje thuhet se potencialiteti kritik i dorës së parë te Konica shkoi pa fryt. Me konkludime të tilla subjektive Pipa përmbyll gjykimin e tij për një dimension të krijimtarisë artistike të Konicës, për të vijuar tutje te kultura filologjike e të çështe stili. Sipas Pipës, Konica: “Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Të tana gamat e satirës ai provoi, prej ironis ma s’ambël deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamflet. Por qe edhe i kthjellët e i ambël kur deshti”.
Nga kjo që thamë më sipër mund të përfundojmë se studiuesi Arshi Pipa, i njohur për kulturë e dijen e tij kritike e filozofike, nuk mbeti peng i lëvdatave për F. Konicën, por i një gjykimi që saktëson natyrën e lidhjes së autorit me autorin apo të autorit me veprën e autorit tjetër, duke na dhënë një tekst përfaqësues për nga veçantia e kërkimit në traditën e mendimit kritik letrar në shqip.
(Donika Dabishevci, kumtesë e lexuar në Seminarin e XXXI Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, më 24 gusht, 2012, Prishtinë)