Gjithmonë me Zvicrën?

Në Zvicër tashmë janë të sigurt: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë përfundimisht në duart e tyre. Kështu, me një ndjenjë çlirimi, e përshkruan situatën më të re rreth futbollistëve me rrënjë nga Kosova gazeta zvicerane “Aargauer Zeitung” në një artikull të publikuar të premten.
Përzgjedhësi i Kombëtares zvicerane, Ottmar Hitzfeld, ashtu sikur edhe një pjesë e mirë e opinionit futbolldashës të Zvicrës, duket se tash e tutje do të “flenë shlirë”.
“Me pavarësimin e Kosovës në vitin 2008, synimi për ta pasur një skuadër Kombëtare të futbollit bëhet më real. Por, FIFA nuk e ka njohur akoma Kosovën. Bisedimet e ardhshme janë më 27 dhe 28 shtator. Pyetja thelbësore tash është: Çka ndodh kur Kosova, kurdo qoftë, e fiton të drejtën për të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe atë Botëror? A do të kenë të drejtë, në një rast të tillë, futbollistët e vendeve tjera, të cilët kanë rrënjë kosovare, ta ndërrojnë Kombëtaren?”- pyet gazeta.
Si përgjigje ajo prezanton statutin e FIFA-s. “Në paragrafin e 7-të të këtij statuti, neni 15 shkruan: “Një lojtar që është angazhuar nga një Federatë në një ndeshje për Kombëtaren e atij vendi në kuadrin e garave zyrtare nuk ka të drejtë të angazhohet më për Kombëtaren e vendit tjetër”.
Kjo do të thotë se lojtari që ka dy shtetësi duhet të përcaktohet për t’i mbrojtur ngjyrat e njërit prej vendeve, shtetësinë e të cilave e mban. Ashtu sikurse për shembull Shaqiri, Xhaka, Behrami, Inler ose Rodriguez janë përcaktuar për Zvicrën.
Më tutje, gazeta citon udhëheqësin e shërbimit juridik të Federatës së Futbollit Zviceran, Robert Breiter, i cili sikur i heq dilemat lidhur me Shaqirin me kompani. “Kalimi i Shaqirit, Xhakës ose Behramit në përfaqësuesen e Kosovës është diçka që përjashtohet. Statuti FIFA-s nuk lë vend për dykuptimësi”, thotë ai.
Njëjtë mendon edhe trajneri gjerman Hitzfeld. “Lojtari që e ka pasur mundësinë të zgjedhë në mes të dy kombëtareve dhe e ka bërë zgjedhjen, nuk mund ta ndryshojë më vonë vendimin që ka marrë njëherë. Për këtë arsye, gjendja aktuale sa u përket lojtarëve ‘problematikë’ nuk është dramatike”, tha selektori i Zvicrës.
Por rreziku nga pikëpamja zvicerane nuk mund të përjashtohet plotësisht. Ai mund të vijë nga rregullat për raste të jashtëzakonshme që parasheh FIFA. Ato mund të ndryshojnë në rastet kur një shtet sikur Kosova pranohet në FIFA.
Në një rast të tillë do të ishte e mundur që FIFA, me dispozita të veçanta, megjithatë t`ua lejonte lojtarëve me rrënjë kosovare të luajnë për atdheun e tyre të vjetër. “Siguri të qindpërqindtë nuk ka. Mirëpo, në momentin aktual, statuti i FIFA-s nuk parasheh zgjidhje tjetër, përveç ndalimit të ndërrimit të Kombëtares”, përfundoi Breiter.