E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkursi i dramës shqipe nxit autorët Të flasin mbi kufijtë

Veprat më të mira të dramaturgjisë kombëtare do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare
Gara e përvitshme, e cila shpall veprat më të mira të dramaturgjisë tonë, këtë vit do të vlerësohet nga një juri ndërkombëtare. Për herë të parë dramaturgët shqiptarë ftohen të marrin pjesë në një konkurs europian, falë një bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Teatrit Kombëtar dhe Ambasadës Austriake falë projektit Konkursi i dramës shqipe. Dje u bë dhe hapja e këtij konkursi ku regjisori austriak, Kristian Papke prezantoi projektin, i cili fton të gjithë autorët shqiptarë që të konkurrojnë duke paraqitur dramat e tyre të pavëna më parë në skenë deri në datën 20 dhjetor. Por ajo çka përbën dhe risi për dramaturgët shqiptarë është fakti se drama fituese do të përkthehet në gjermanisht, e më pas do të vendoset në një nga skenat e teatrove të Zvicrës, Austrisë apo Gjermanisë.  Konkursi ka për qëllim të nxisë shkrimin e dramave tek të cilat trajtohet tema e kalimit të kufijve shtetërorë. Duke trajtuar këtë temë nuk realizohet vetëm një vepër e mirëfilltë artistike, por dhe një dokumentim i kësaj kohe të ngjashme në të gjithë vendet europiane, u shpreh regjisori Papke. Bashkëpunimi mes Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Jashtme Austriake detyron dramaturgët shqiptarë të sjellin pjesë të reja e të pavëna më parë skenë. Zhvillimi i konkursit që ka si temë qendrore kalimin e kufijve nga shtetasit, që kërkojnë një jetë më të mirë, vjen për organizatorët në kujtim të 20 viteve më parë kur u shembën kufijtë kryesorë mes Europës. Për drejtorin e Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami realizimi i një konkursi të tillë në Shqipëri ka një rëndësi të veçantë, pasi bën të mundur njohjen e dramës shqipe në hapësirën europiane. Krijuesit shqiptarë do të kenë një arsye më shumë për të thyer barrierat kulturore dhe për të kaluar në skenat evropiane, por mendoj se kjo dramë do të mund të vihet dhe në skenën e TK, u shpreh drejtori Skrami. Tre çmimet e para do të mundësohen nga Ambasada Austriake, ndërkohë që MTKRS dhe TK do të financojnë dy çmime të tjera. Stefan Çapaliku dhe vepra e tij "Allegreto Albania" ishte drama që fitoi edicionin e fundit të këtij konkursi. Allegretto Albania erdhi nën regjinë e Altin Bashës para publikut. Një koncept regjisorial që synoi të sjellë jo vetëm historinë e shkruar nga Çapaliku mbi një fenomen si gjakmarrja, por edhe raportet e shoqërisë dhe medias shqiptare me këtë realitet absurd. Me aktorët Mirush Kabashi, Olta Dako, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Allegretto Albania solli një tematike mjaft të prekshme të realitetit shqiptar e konceptuar edhe në skenografinë dhe kostumet e Iliriana Loxhës, që u vunë në shërbim të rrëfimit të kësaj historie. Premiera e Allegretto Albania solli historinë e një familjeje të ngujuar për arsye gjakmarrjeje dhe të gjitha situatat ndodhin pikërisht në kulmin e stinës koncertore Allegretto Albania.
Konkursi austriak i dramës Të flasim mbi kufijtë
Organizohet çdo vit prej 2005 për vende të rajonit të Evropës Juglindore. Një juri ndërkombëtare zgjedh dramën më të mirë të dorëzuar dhe vlerëson fituesen apo fituesin me një çmim në shumën 3.500 euro. Pjesë e çmimit është njëkohësisht edhe përkthimi i tekstit në gjuhën gjermane, publikimi i tij (me një tirazh së paku 10.000 kopje) dhe një prezantim publik në Vjenë, në kuadër të të cilit ftohet edhe fituesja apo fituesi i zgjedhur. Organizatorët përpiqen gjithashtu për inskenimin dhe shfaqjen e dramës. Konkursi Austriak i Dramës organizohet nga Ministria Austriake për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Ambasada Austriake në Tiranë, në bashkëpunim me Klubin austriak P.E.N dhe Ministrinë shqiptare të Kulturës si dhe Teatrin Kombëtar në Tiranë si partnerë lokal të projektit dhe dr. Kristian Papke si përfaqësues ligjor dhe artistik i konkursit.
Kushtet e pjesëmarrjes
Konkursi u jep të drejtë të marrin pjesë gjithë personave që jetojnë dhe kanë lindur në Shqipëri, kanë nënshtetësinë shqiptare apo që kanë jetuar në territorin e këtij shteti për të paktën 15 vjet. Drama duhet të shkruhet në gjuhën shqipe apo në atë cigane. Përveç tekstit origjinal duhet të dorëzohet edhe një version i tij në anglisht. Versioni anglisht i shërben jurisë për orientimin e parë dhe nuk ka nevojë të jetë një përkthim profesional. Çdo autore apo autor mund të dorëzojë vetëm një tekst. Drama nuk duhet të jetë vënë në skenë apo të jetë botuar më parë. Drama duhet ti përmbahet në një farë mënyre temës së konkursit Të flasim mbi kufijtë: Mbresa jetësore në kohë ndryshimesh politik.  Drama duhet të luhet në skenë maksimalisht nga pesë aktorë. Të gjithë pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit u kalojnë organizatorëve të drejtat ripërdoruese si vijon: Të drejtën jo-ekskluzive të përdorimit, të palimituar, për përkthimin dhe publikimin e tekstit të dramës pa honorar në rast botimi brenda një antologjie. Në rast se një tekst kthehet në Bestseller, autorja apo autori i tij do të përfshihet në fitim. Pjesëmarrëset apo pjesëmarrësit pranojnë që për dramën fituese vlen rregulli: Autorja apo autori u kalon organizatorëve të drejtën ekskluzive për përkthim dhe publikim të tekstit fitues për një afat njëvjeçar pas marrjes së çmimit. Gjithashtu organizatorët përfitojnë të drejtat ekskluzive për vënien në skenë të dramës për një periudhë kohore 2 vjeçare, si dhe maksimumi 14 shfaqje publike. Fituesja apo fituesi bie dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos marrë honorar tjetër, përveç çmimit fitues prej 3.500 euro.  Afati i fundit i dorëzimit është data 20 dhjetor 2009. Pjesëmarrëset apo pjesëmarrësit duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme: 1. Tekstin e dramës në gjuhën origjinale. 2. Tekstin e dramës (version jo i përpunuar artistikisht) në një variant anglisht. 3. Informacione paraprake për autoren apo autorin në gjuhën angleze. 4. Një konfirmim për njohjen dhe pranimin e kushteve të pjesëmarrjes nga ana e autores apo autorit.
Last Updated on Wednesday, 17 June 2009 09:32

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›