E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkursi për kampusin universitar në Durrës, deri më 3 dhjetor afati i dorëzimit të projekteve

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro informoi sot se projektet për konkursin ndërkombëtar të projektimit për masterplanin e kampusit të ri universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë afat dorëzimi datën 3 dhjetor.

Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro tha se ky projekt do të transformojë hapësirën universitare në një qendër të dijes, inovacionit dhe jetës studentore në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

“Ky investim do të krijojë një hapësirë moderne mësimi dhe kërkimi, ku arsimi, shkenca dhe socializmi bashkohen për të ndërtuar një model të ri universiteti publik, të integruar, gjithëpërfshirës dhe ndërkombëtar, orientuar drejt modeleve të hartës europiane të arsimit të lartë ku Shqipëria synon të jetë pjesë”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “projekti është një gur i rëndësishëm themeli për modernizimin e infrastrukturës universitare, që e kthen arsimin e lartë në një pol zhvillimi, inovacioni dhe progresi për të rinjtë shqiptarë”.

Kumbaro tha se “Ministria e Arsimit mbështet konkursin ndërkombëtar të projektimit për Masterplanin e kampusit të ri”.

Më 15 tetor të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi të ngarkojë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si organ qendror blerës për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas vendimit të qeverisë, fondi prej 23,6 milionë lekësh do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2025.

Ky kampus i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve arsimore dhe kërkimore të universitetit, duke e pozicionuar atë jo vetëm si një qendër edukimi, por edhe si një pol tërheqës për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe urban të qytetit të Durrësit.

Kampusi do të ofrojë një kornizë të re për jetën studentore, duke garantuar një përvojë universitare të integruar dhe dinjitoze për të gjithë studentët, nga vendi dhe nga jashtë.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›