E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 12 vitesh, ndriçohet segmenti Ura e Stom Golemit-Mes në Shkodër

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Pas gati 12 vitesh errësirë, Bashkia Shkodër ka përfunduar investimin për rikthimin e ndriçimit publik në aksin rrugor Ura e Stom Golemit-Mes, një segment 4,2 kilometra i gjatë, që për shumë vite ishte një shqetësim për qindra banorë dhe drejtues mjetesh.

Rruga, e përfunduar në vitin 2015, mbeti pa ndriçim vetëm disa muaj pas ndërtimit, pas vjedhjes së kabllit elektrik, duke e kthyer këtë segment në një nga më të rrezikshmet e Shkodrës. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve përballeshin çdo natë me errësirë dhe rrezikshmëri, duke kërkuar prej vitesh një zgjidhje.

Falë bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe Këshillit të Qarkut Shkodër, ndriçimi është riinstaluar plotësisht, duke rikthyer sigurinë dhe rehati për qytetarët. Investimi përfshin të gjithë segmentin rrugor, duke mundësuar lëvizje të sigurt dhe qarkullim të lehtë gjatë natës.

Kryetari i bashkisë, Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga rruga e ndriçuar, teksa shkroi se më në fund ka dritë në një nga akset më të rrezikshme të Shkodrës.

Ky investim pritet të ulë aksidentet, të përmirësojë sigurinë e qarkullimit dhe të rrisë cilësinë e jetës për komunitetin lokal, duke i dhënë fund një problemi që qytetarët e Shkodrës përjetonin prej një dekade.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›