Konkursi per punesimin ne PS reagon Kryeministria

Konkursi për punësimin në administratë ka sjellë sot reagimin e ashpër të Kryeministrit Berisha. Zëdhënësja për shtyp e Kryeministrit, Erla Mëhilli e cilësoi një nismë të tillë si një kërcënim i hapur për punonjësit e administratës.
Sipas saj, kryetari i mazhorances së re, zoti Edi Rama ka hapur prej ditësh në një akt flagrant anti-shtetëror, tenderin për fshesën ndaj administratës. Madje, kjo nismë, në vlerësimin e Kryeministrit, do të përfshijë edhe punonjësit e sipërmarrjeve private, bazuar pikërisht në pretendimin e vetë kreut të PS-së, i cili qe shprehur se Data Base i PS që do të përdoret për këtë qëllim, do ti ofrohet edhe sektorit privat.
“Kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu. Për të justifikuar veprimin e tij, vendosjen me shpejtësi të sistemit gjobëvënës socialist, zoti Rama deklaron se punëkërkuesit e përzgjedhur nëpërmjet Partisë Socialiste do ti ofrohen konkurseve te hapura që organizon administrata për vende pune sepse sipas tij më parë këto konkurse nuk kanë qenë të hapura dhe tani ai do ti bëjë më të hapura duke rekomanduar nga selia e PS pjesëmarrësit e këtyre konkurseve. Unë sot jam këtu për të denoncuar këtë praktike, si një veprimtari të mirëfilltë anti - shtetërore dhe shkatërrimtare për administratën publike dhe tregun e punës në tërësi”, vlerësoi Mëhilli.
Në gjykimin e Kryeministrit, kreu i PS-së dëshmon se do bëjë çdo gjë për të kontrolluar nga selia mavi tregun e punës.
“Ne informojmë shqiptarët se pak muaj më parë me fonde dhe ndihmë teknike të qeverisë suedeze është ngritur dhe funksionon pranë Ministrisë së Punës dhe në të gjitha qarqet e vendit portali i e- punësimit, në të cilin çdo i papunë, kudo që banon, aplikon on line me CV-ne e tij dhe pretendimin për vendin e pritshëm të punës. Po ashtu, çdo punëdhënës shpall on line ne këte portal vendet vakante në sipërmarrjen e tij, si dhe kërkesat që duhet të plotësojë punëkërkuesi për tu punësuar në atë sipërmarrje.
Pra, me sistemin e tij te ri zoti Rama po hedh hapa të paimagjinueshëm per një vend të lirë, hapat e instalimit te regjimit te partise shtet dhe kontrollit partiak rrënues të punësimit në administratën publike dhe sektorin privat”, u shpreh Mëhilli, gjatë deklaratës së saj për shtyp.